E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë/ Autoritetet thonë se nuk ka vend për panik, por në zonë instalohen forcat ushtarake

Përmbyten qindra hektarë tokë dhe dhjetë shtëpi në fshatin Tale të Lezhës. Prurjet e shumta të lumit Drin, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, kanë bërë që lumi të dalë nga shtrati i tij. Ndërkaq, dallgët e forta të detit kanë bërë që uji të kalojë mbi bregun e rërës dhe njëkohësisht të përmbytë banesat në afërsi të tij. Bllokimi i kanalizimeve, që dërgonin ujin në hidrovore, kanë bërë që situata të përkeqësohet. Mësohet se një banesë që ndodhet pranë hidrovorit rrezikon të shembet nga ndërhyrja e Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila për t’u shpëtuar përmbytjeve është detyruar të çajë edhe digën e hidrovorit.
Kjo ka bërë që prurjet e shumta të ujit të tërheqin me vete edhe dhera e materiale inerte, duke vështirësuar edhe punën në hidrovor. Sipas Luigj Frangajt, drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve, po punohet për minimizimin e sipërfaqeve dhe banesave të përmbytura. Ndërsa Pal Dajçi, prefekti i Lezhës, është shprehur se: “Shtabi i emergjencave dhe forcat e ushtrisë po punojnë për mbushjen e digës dhe disiplinim e ujërave, pasi shikojmë që prurjet e detit vazhdojnë akoma. Ne po përpiqemi të mos prishim një banesë që është më afër hidrovorit. Ajo që mund të them aktualisht është se situata ndodhet nën kontroll dhe jemi pa ndërprerje pranë banorëve për t’u ardhur në ndihmë. Ndaj nuk ka nevojë për panik”.
Forcat e ushtrisë kanë mbërritur në Tale rreth orës 15.00 të ditës së djeshme, ndërsa në orën 18.00 në Tale ka qenë për inspektim edhe drejtori i emergjencave civile, Alfred Olli, i cili ka takuar banorët e përmbytur dhe u ka shprehur atyre solidaritetin e tij për t’u ardhur në ndihmë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›