Nuk pranohet kërkesa e Ilir Matës, kunati i deputetit të PS-së Dashamir Peza, për pezullim
Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesën e biznesmenit Ilir Mata, kunatit të deputetit të PS-së, Dashamir Peza, për ndërprerjen e prishjes së pallatit në qendër të Tiranës. Gjyqtarja Arjana Caco, e cila ka shqyrtuar dosjen, e ka konsideruar të pabazuar në ligj kërkesën e kreut të shoqërisë së ndërtimit TTA-ALBA-LAM sh.p.k. Duket se paradokset vazhdojnë për një kohë të gjatë në Shqipëri. Përplasja e dy pushteteve për arsye politike, atij ekzekutiv me atë vendor, ashtu siç ndodhi me mbikalimin e “Zogut të Zi”, do të vazhdojë t’u kushtojë taksapaguesve shqiptarë miliona të shndërruara në gërmadha.
Edhe pse të dyja palët pretendojnë se kanë dokumentacion të rregullt, askush nuk thotë se kush do të mbajë përgjegjësi, që prishja e këtij ndërtimi bëhet në fazën përfundimtare të tij dhe jo më parë, thua se shteti nuk ekzistonte kur iu dha leja e ndërtimit dhe u hodhën themelet. Nga ana tjetër, specialistët shpjegojnë se prishjet në këtë fazë të këtyre ndërtimeve masive kushtojnë shumë për të mos llogaritur për pasojat e tjera që krijohen në komunitet nga rrënojat.
Ankesa
Mata dorëzoi kërkesën për ndërprerjen e aksionit të Inspektoratit të Lartë të Ndërtimit, pas prishjes së 3 prej 12 kateve të pallatit më 7 dhjetor 2009. Dosja civile mbante numrin 559 dhe kishte si objekt lejimin e marrjes së masës së sigurimit të padisë, duke vendosur “pezullimin e menjëhershëm dhe pa ndërprerje të zbatimit të aktit administrativ të vendimit numër 10 datë 07.12.2009 nxjerrë nga Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar”. Vendimi parashikonte edhe një dënim për prishjen e objektit 12-katësh të shoqërisë TTA-ALBA-LAM sh.p.k. deri në afatin e përfundimit të plotë të gjykimit të kërkesë padisë që do të paraqesë kjo shoqëri kundër këtij vendimi”. Megjithatë, gjyqtarja Ariana Caco e ka cilësuar kërkesën si të pabazuar në ligj e prova dhe ka lënë në fuqi vendimin e Inspektoratit të Ndërtimit.
Dy seanca më parë të pranishëm kanë qenë palët në proces, ajo e përfaqësuar nga Ilir Mata, kunati i deputetit të PS-së, Dashamir Peza, dhe Inspektoratit të Ndërtimit. Një nga provat e paraqitura prej kërkuesit ishte ajo e marrjes së lejes për ndërtim që në vitin 2002, vit kur pallati në qendër të Tiranës nisi të ndërtohej. Prova tjetër ishte regjistrimi i pronës në Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme. Por përfaqësuesit e inspektoratit thanë dje para gjykatës se kanë në dorë të gjitha provat që vërtetojnë se pallati 12-katësh ka filluar të ndërtohet pa leje përkatëse dhe regjistrimi ka qenë i paligjshëm. Duket se gjyqtarja u ka dhënë të drejtë përfaqësuesve të inspektoratit.
Polemikat
Aksioni për prishjen e këtij pallati shkaktoi mjaft polemika mes kampeve politike, në të cilat u përfshinë edhe vetë krerët e pozitës dhe opozitës Sali Berisha dhe Edi Rama. Përplasje pati edhe mes dy policive, asaj bashkiake nga njëra anë dhe asaj ndërtimore nga ana tjetër. Disa deputetë të Partisë Socialiste tentuan të hyjnë në pallat në kohën që fadromat vazhdonin prishjen, por edhe pse janë penguar fillimisht, kanë arritur të futen brenda godinës. Ndërkohë, deputeti Eduart Shalsi është konfrontuar edhe fizikisht me policinë, e cila nuk ka lejuar hyrjen e tij në objekt. Nga ana tjetër, vetë deputeti Dashamir Peza tha në atë kohë se shembja e pallatit është një luftë e ashpër politike që po bën qeveria ndaj tij dhe ndaj familjes.
Ndërkohë, aludimeve të disa prej përfaqësuesve të pozitës se mbrapa firmës që posedon pallatin me pronar kunatin e tij Ilir Matin, fshihet ai vetë, ai u është përgjigjur se prej dy viteve nuk ka pasur asnjë kontakt me të. Përfaqësues të firmës TTA-ALBA-LAM sh.p.k., deklaruan se pavarësisht vendimit të djeshëm të Gjykatës së Faktit në kryeqytet, vendimin do ta çojnë në Gjykatën e Apelit, tek e cila kanë më shumë besim se do të vendosë drejtësi.