E Diel, 1 Nëntor 2026

“Publikimi i videos, mund ta kisha ndaluar”

14/01/2011  Kryeministri Berisha reagon publikisht për përgjimin e ministrit të Ekonomisë, Metës

Akuzat e kreut të qeverisë për trukimin e regjistrimit bien mbi kreun e opozitës, Ramën

Kryeministri Berisha, ashtu si zëvendësi i tij Ilir Meta mendon se videoja ku është përgjuar ministri i Ekonomisë është e trukuar, madje në mënyrë diletanteske. Gjithsesi kreu i qeverisë është në pritje të zbardhjes së saj nga Prokuroria, për të cilën shprehu përgëzime që vendosi hapjen e hetimit. Kryeministri tha se ishte vënë në dijeni të videos më herët nga vetë ish-ministri Prifti, e cila ishte përdorur për pazare politike. “Ajo video ka ardhur tek ju, sepse kam dashur unë. Është e vërtetë që Dritan Prifti më ka ofruar videon, por i kam thënë çoje ku të duash, është shumë e vërtetë. Është e vërtetë që janë bërë shumë oferta të tjera deri tek Piramida që të mos prishet, por kryeministri i këtij vendi as nuk blen dhe as nuk shet. I përmbahet një morali dhe disa parimeve. Ju videon e morët, sepse nuk e mora unë. Po ta merrja unë, ju nuk e merrnit. Ata që tentuan të nxjerrin favore me video tek unë, ata dështuan; u dëshmuan falsifikatorë ordinerë, manipulues të paskrupullt; u dëshmuan ashtu siç janë: zogj bunkeri, nga i cili nuk kanë për të dalë kurrë”, theksoi Berisha në reagimin e tij të drejtpërdrejtë për këtë çështje, menjëherë pas takimit me Presidentin në detyrë të Kosovës, Jakup Krasniqin. Ai akuzoi kreun e opozitës, Edi Ramën, si autor të këtij manipulimi. “Më duhet të falënderoj jo pa sinqeritet Edvin Kristaq Ramën, e them haptas për nderin që më bëri. Me montimin dhe trukimin e videos Edvin Kristaq Rama dëshmoi se është i biri i të atit, se është aq i paskrupull dhe amoral, saqë për të luftuar kundërshtarin mund të bëjë çdo falsifikim.

Në këtë aspekt nuk mund të mos jem i hapur këtu, se dalja e tij lakuriq jo me lëkurë, por me moral, është vendim i tij, jo i imi. Por unë them këtu se as çuni i Kiços dhe as çuni i Kristaqit, as i Xhelilit, as i ndonjë tjetri, nuk do të munden kurrë që as me çimka as me truke të vijnë në pushtet”, tha Berisha. Në fillim të reagimit të tij për këtë çështje, Kryeministri rishprehu vlerësimin për vendimin e zëvendëskryeministrit Meta, për të mos i njohur vetes asnjë imunitet, dhe kërkesën e tij për hetim të plotë dhe të gjithanshëm të problemit. Po ashtu ai përgëzoi edhe

prokurorinë e vendit, e cila, siç u shpreh shefi i ekzekutivit, vendosi me përgjegjësinë më të madhe, shpejtësinë më të madhe, hapjen e hetimit për këtë çështje.

Bashkëpunimi

Është bashkuar i biri i Kiços me të Kristaqit dhe merren me çimkat; etërit do t’ua kishin lakmi, ndërsa ati shpirtëror do t’u jepte një dekoratë. Në rast se çuni i Kiços vuri orën dhe regjistroi bisedën time, çuni i Kristaqit urdhëroi fatkeqin e “Top Channel” të montojë videon.

Trukimi

Një material i trukuar në mënyrë diletanteske, që kapërcen nga sekonda e 43 në sekondën 4 të minutës nuk mbetet gjë tjetër, veçse të hetohet nga prokuroria në mënyrë të plotë. Pse e kanë trukuar, shpirti i tyre e di; pse e kanë falsifikuar morali i tyre e di. Shkoni pyetni ata.

Zbardhja

Nuk ka këtu asgjë tjetër vetëm demonstrim të moralit të etërve të tyre. Është fat i madh që këto janë në duar të prokurorisë, e cila do t’i zbardhë që të gjitha. Por as çuni i Kiços, as i Kristaqit, as i Xhelilit, s’do të munden kurrë, që as me çimka as me truke të vijnë në pushtet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›