E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Marti të dorëzojë provat tek EULEX”

14/01/2011  Punimet e Asamblesë, Shqipëria prezanton amendamentin për raportin

Kryeministri Berisha pret Presidentin Krasniqi. Shqipëri-Kosovë, një qëndrim për akuzat

Delegacioni shqiptar do të kërkojë në Asamblenë Parlamentare, përkrah hetimit përmes rezolutës që do të votohet nga institucionet ndërkombëtare, edhe amendimin e kësaj rezolute me kërkesën drejtuar Dik Martit, ku të gjitha të dhënat që ka t’ia dorëzojë EULEX ose Gjykatës Ndërkombëtare. Këtë e bëri me dije Kryeministri Berisha në konferencën e përbashkët me Presidentin në detyrë të Kosovës, Jakup Krasniqi, pas takimit që zhvilloi me të në Kryeministri. “Ne do të kërkojmë një amendim ku Dik Marti t’i dorëzojë EULEX të gjitha provat, dëshmitë që ai pretendon se i ka mbledhur në interesin më të mirë për zbardhjen e së vërtetës. Ne do të votojmë rezolutën, natyrisht kemi përçmimin tonë për racizmin e Dik Martit në raport. Por racizmi nuk i bën nder askujt, përkundrazi është një atavizëm, nga i cili njerëzit e qytetëruar duhet të luftojnë, të çlirohen dhe të gëzojnë dhe ata vlerat, sepse pengojnë shumë”, tha Kryeministri Berisha. Por sa i takon raportit të Dik Martit si Berisha, ashtu edhe Presidenti Krasniqi u deklaruan të hapur për të ndihmuar hetimet e institucioneve ndërkombëtare për këtë raport. “Ne besojmë dhe mendojmë se përgjigjja më e mirë ndaj këtij raporti fund e krye racist e shpifës është kërkesa jonë për hetim të plotë për të gjitha problemet që shtrohen në këtë raport nga EULEX dhe Gjykata Ndërkombëtare e Hagës. Qeveria shqiptare do të krijojë të gjitha lehtësirat e nevojshme për hetimin e problematikave që ai ngre. Ne nuk pengojmë, por ne e dëshirojmë këtë hetim, ndonëse ne shprehim të gjithë keqardhjen që raporte të tilla raciste lexohen në Këshillin e Evropës”, tha kreu i qeverisë shqiptare. Sipas tij, Dik Marti nuk është racist për akuzat që bën, akuza të cilat po sipas Berishës i ka mbledhur nga analet e Beogradit, nga lobet ruse, por është racist për përshkrimin që i bën shoqërisë shqiptare. Ndërsa Krasniqi deklaroi në fjalën e tij se programi politik i lëvizjes kombëtare për çlirim në Kosovë, në asnjë fazë të tij nuk ka shkuar përmes asnjë forme të krimit të organizuar ndaj një grupi etnik apo populli tjetër për rrëmbim, për shfarosje, për zhdukje apo për të trafikuar organet e as secilit njeri për qëllime kriminale.

Situata politike në Kosovë

Krasniqi: Bisedimet në interes të Kosovës dhe Serbisë

Presidenti në detyrë i Kosovës ka deklaruar gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të biseduar për gjithçka që është në interes të Republikës së Kosovës, Serbisë dhe qytetarëve të tyre. “Kur them qytetarëve të Serbisë dhe qytetarëve të Kosovës, e kam fjalën edhe për qytetarët shqiptarë që jetojnë në Republikën e Serbisë, dhe për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë. Gjithçka që shkon në drejtimin e përmirësimit dhe të ngritjes së kualitetit tjetër të këtyre qytetarëve të dy vendeve tona ne jemi të gatshëm të bisedojmë”, tha Krasniqi. Për sa i takon zhvillimeve të reja për formimin e qeverisë së re në Kosovë, Presidenti në detyrë tha se Kosova është fillimisht në pritje të përfundimit të procesit zgjedhor, nga i cili besohet se do të formohet qeveria dhe institucione të pavarura. “Ju e dini tanimë që në Kosovë, më 23 janar 2011 kemi zgjedhje të përsëritura në Mitrovicë, dhe ne presim mbylljen e këtij rezultati dhe pastaj formimin e qeverisë dhe institucioneve që do të dalin nga këto zgjedhje. Ne jemi duke pritur dhe besojmë që institucionet e pavarura zgjedhore do ta korrigjojnë këtë proces dhe do të formojnë institucionet e reja”, deklaroi Presidenti kosovar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›