Moisiu: Tadiç në Shqipëri? Pozitive, por duhen parë kushtet
Ish-presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, i cili priti pak vjet më parë në Durrës Presidentin serb, Tadiç, e vlerëson si pozitiv intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve, aq më shumë kur në mes qëndron shteti i ri i Kosovës. Tre vjet më vonë pas këtij takimi, Moisiu pranon e thekson se vizita e tij në Shqipëri pati rol pozitiv në atë moment dhe më vonë, dhe e njëjta gjë duhet të ndodhë edhe më tej. Presidenti serb, Tadiç, ishte në Shqipëri në prill të 2006-ës, në një takim me presidentët e rajonit. Ishte hera e parë që vinte një president i Serbisë në vendin tonë dhe ishte një takim që luajti një rol të rëndësishëm në atë kohë, por edhe më vonë", tha ai. Por pavarësisht emrit të shtetit që përfaqëson Boris Tadiç, ish-kreu i shtetit shprehet se e mbështet vizitën e tij, madje duke qenë vend i rajonit, ai thotë se vetëm duke biseduar zgjidhen problemet mes nesh. Veçse ai kujton edhe kushtet për të cilat duhet të zhvillohet kjo vizitë. "Gjatë kohës që kam qenë president, isha përkrahës i forcimit të lidhjeve midis vendeve ballkanike. Sepse kështu zgjidhen edhe problemet që kemi mes nesh. Çdo gjë është e mundur, por ne kemi një gjë në mes dhe kjo është Kosova. Unë them që çdo forcim marrëdhëniesh e kontaktesh është pozitiv. Nuk e di e çfarë natyre është ftesa, por mos të harrojmë që pritet edhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare për kërkesën që ka bërë pala serbe. Por çdo takim, çdo vizitë, është në interes të vendeve të rajonit. Unë kam qenë dhe jam përkrahës i këtyre takimeve. Pozitive, por duhen parë dhe kushtet, edhe pse takimet janë të domosdoshme për të sqaruar gjërat", deklaroi ai. Pak ditë më parë, Kryeministri Berisha bëri një ftesë publike për Presidentin Tadiç, duke e ftuar atë të vijë në Shqipëri. Nuk dihen ende detaje të një vizite konkrete të Presidentit serb, por së fundmi qeveria "Berisha" i ka mëshuar mjaft intensifikimit të marrëdhënieve me Serbinë, si një mundësi për të shmangur mosmarrëveshjet në rajon jo vetëm për çështjen e Kosovës, por edhe për interesa të tjera të përbashkëta. Mundësia e një vizite të Presidentit serb është komentuar edhe nga diplomatë si Milo, Xhufi e Godo. Milo është shprehur pro takimit, Xhufi skeptik, duke kërkuar që qeveria t‘u kushtojë më shumë vëmendje shteteve fqinje, ndërsa Godo e mirëpret.
A.Th.