E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Duhet bashkëpunim për sekuestrimet

Antimafia Prokuroria e Përgjithshme analizon 2009-n para raportimit në Kuvend. Problematikat dhe arritjet

Kryeprokurorja Ina Rama ka kërkuar bashkëpunim për implementimin e ligjit të ri antimafie, i cili ka hyrë në fuqi prej dy muajsh dhe ka prekur një pjesë të mirë të dosjeve në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Megjithatë, ende nuk janë dhënë frytet e para për bllokimin e aseteve që kanë prejardhje kriminale dhe akuza qendrore kërkon një bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe institucionet e tjera që parandalojnë organizatat kriminale dhe krimin ekonomik. Deklarata është bërë dje nga Kryeprokurorja gjatë analizës vjetore të akuzës qendrore, ku është vënë theksi pikërisht te ky bashkëpunim, i cili do të sillte mjaft të ardhura për shtetin dhe do të mund të përmirësonte strukturat që e luftojnë këtë fenomen. “Duhet koordinuar dhe bashkërenduar puna me prokurorinë dhe institucionet shtetërore, si dhe duhet përmirësuar puna e oficerëve gjyqësorë të Antikrimit Ekonomik”, deklaroi Rama gjatë prezantimit të raportit vjetor 2009 të organit të prokurorisë, ndërsa më pas ka mbështetur vartësit duke pohuar se “është punuar me përkushtim dhe përgjegjshmëri për gjithë vitin 2009.

Mbështetje prokurorisë
Sipas ligjit, prokurori i Përgjithshëm duhet të raportojë në Kuvend arritjet dhe problematikat e një viti pune dhe raportimi duhet të kryhet në muajin mars. Burime nga akuza qendrore thanë se raporti duhet të niset në Kuvend këto ditë dhe rreth datës 18 dhe 19 prill drejtuesja e akuzës qendrore, Ina Rama, duhet të paraqitet në Komisionin e Ligjit. Parashikohet që deputetët e mazhorancës “ta kryqëzojnë” prokurorinë për punën e vitit 2009 rreth afateve të hetimit, megjithatë Kryeprokurorja Ina Rama ka vlerësuar dje stafin e saj për përkushtimin në detyrat që u janë dhënë, duke dashur që të gjitha “kritikat” që mund t’i adresohen në Kuvend, të mos ndikojnë në punën e përditshme. “Prokurorët kanë punuar me përkushtim dhe përgjegjshmëri për gjithë vitin 2009 dhe kanë vlerësuar me seriozitet dhe sipas ligjit çdo procedim penal”, tha Kryeprokurorja. “Harmonizimi i punës me strukturat e shtetit, përfaqësimi dinjitoz i akuzës, si dhe mbledhja me profesionalizëm e provave ka shoqëruar punën e prokurorëve gjatë gjithë vitit”, tha Kryeprokurorja.

Arritjet dhe problemet

Numri një i akuzës qendrore vlerësoi në veçanti si mjaft pozitive punën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për rritjen e bashkëpunimit ndërkombëtar, çka ka rritur autoritetin e prokurorisë shqiptare. Sipas Ina Ramës, prokurorët në të gjitha rrethet, gjatë 2009-s janë përballur me një fluks më të madh dosjesh se në 2008-n, si dhe kanë mbyllur më shumë procedime penale se sa një vit më parë. “Gati 23 mijë kanë qenë procedimet penale në total, që prokuroria i ka ndjekur gjatë 2009-s. Numri i çështjeve të përfunduara është më i lartë se në vitin 2008. Rreth 2000 procedime penale të përfunduara janë regjistruar më shumë këtë vit”, tha më tej Rama. Ndërkohë, një vëmendje e madhe i është kushtuar vlerësimit të masave të “arrestit shtëpiak”. Sipas Kryeprokurores, ky është një problem, pasi është i pamonitoruar dhe shihet se jepet si favor ndaj të akuzuarve. Në fund, zonja Rama kërkoi raportim për të gjitha çështjet e pushuara nga gjykata dhe vendimet e pafajësisë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›