Publikohet një xhirim i ri i kufomës së Gaddafit

Në pamje duket qartë trupi i pajetë i ish-diktatorit në një kamion të rrethuar nga militantët, të cilët qeshin, bëjnë fotografi dhe tallen me kufomën. Më pas trupi i pajetë transportohet me një barelë, ku i duken qartë plagët e shumta në kokë dhe në bark.
Filmimi është postuar në internet nga një aktivist sirian, me nënshkrimin “Dikush duhet t’ia tregojë Bashar Al Assad-it.”. Për momentin nuk është e qartë se përse këto pamje nuk janë publikuar më parë.
Pas vrasjes së Muammar Gaddafit në internet qarkulluan një serë videosh që tregonin momentet kur ai u torturua dhe u tërhoq zvarrë nga kryengritësit.
Versionet e asaj që ndodhi më pas ishin të shumta, mes të cilave edhe mundësia që ish-diktatori të ishte vrarë me një plumb në kokë nga një kryengritës 18-vjeçar.