Talebanët ndalojnë vaksinimin kundër polios

Qeveria pakistaneze ka shtyrë një program vaksinimi kundër polios në disa zona fisnore të vendit, pas kërcënimeve të talebanëve.
Grupet rajonale talebane në Vaziristanin Verior dhe atë Jugor kanë vendosur “ndalesë” ndaj fushatës kundër polioz, si shenjë proteste ndaj sulmeve të telekomanduara amerikane.
Hafiz Gul Bahadur, lideri i talebanëve në Vaziristanin Verior tha se ndalesa do të mbetet derisa të ndalohen sulmet amerikane.
Zyrtarët lokalë thanë se ky veprim i talebanëve rrezikon shëndetin e më shumë se 350 mijë fëmijëve.
AFP raporton se një takim i pleqnarëve në Miranshah të Vaziristanit Verior, për të diskutuar ndalesën, është anuluar për shkak të orës policore.
Në vitin e kaluar Pakistani shënoi numrin më të madh të rasteve të polios në dekadë, 198 të tilla, si rezultat i problemeve me vaksinim.