E Shtunë, 31 Tetor 2026

Publiku “po” – juria “jo”

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Melinda Ademi është eliminuar në fundjavë në spektaklin “American Idol”. Vota e jurisë bëri që Ademi të largohet nga kjo garë. Nga Express më 03 mars 2011 në ora 13:14

Kosovarja Melinda Ademi, pavarësisht se ishte më e mirë në këtë fundjavë (së paku sipas publikut), nuk ka arritur që të bindë jurinë që të vazhdojë më tutje në edicionin e ri të “American Idol” të SHBA’së.

Mënyra e veçantë e përzgjedhjes së konkurrentëve me anë të numrave, që do të thotë se nuk lejojnë në finale më shumë se një apo dy këngëtarë të një gjinie të caktuar muzikore, ka bërë që Melinda të jetë e pafat - dhe në zhanrin e saj të kalojë një këngëtare tjetër.

Interpretimi në duo bëri që Melinda të mos kualifikohet për më tutje, ndërkaq kritikët amerikanë të muzikës kanë qenë shumë kritikë ndaj jurisë për këtë përzgjedhje.

Sipas tyre, Melinda ka qenë shumë më e mirë gjatë provave dhe ende nuk dihet se pse këngëtarja nuk e kaloi këtë sprovë.

Pavarësisht kësaj, kosovarja tashmë është bërë e njohur dhe shumë label amerikanë mund t’i ofrojnë asaj punë nëse vërtet ajo e dëshiron këtë gjë. Për Melindën është shkruar se ajo tashmë e ka derën e hapur, por ajo çfarë duhet të bëjë është që të bëjë lëvizje të duhura dhe të lidhet me kompani serioze dhe kompozitorë seriozë të muzikës, pasi që vetëm kështu ajo mund të ketë suksesin të cilin edhe e ka ëndërruar.

Nga ana tjetër, gazeta prestigjioze amerikane “USA Today” shkruan se publiku i tha “po” Melindës, por juria i tha jo”.

Sipas kësaj gazete, në grupin e dytë të garuesve në të njëjtin zhanër ishte mësuar se Melinda do ta ketë shumë lehtë me Thia Megian, pasi që zëri i saj nuk “ishte në nivelin e duhur”. Kënga që do ta interpretonin të dy vashat ishte “Here Comes the Sun”, që Melinda e interpretoi shumë më mirë, por jo edhe Thia, për të cilën publiku “ulëriti”. Edhe në vota të publikut, Melinda printe, por papritur Randy tha se Thia ka kënduar më veçantë se Melinda.

Në fund, ishte Randy Jackson dhe Jennifer Lopez që thanë se paraqitja e Melindës nuk i ka impresionuar ata dhe pas kësaj çdo gjë u bë e ditur dhe garën e kaloi Thia.
Këngëtarja 16-vjeçare, Melinda Ademi u fut në mesin e shumë talenteve amerikanë, vitin e kaluar.

“Në jetën time kanë influencë shumë artistë, por kryesisht në mënyra të ndryshme. Në të vërtetë, influencohem shumë nga Natasha Bedlingfeild, Rihanna, Jordan Sparks, Leona Lewis, Celine Dion, Jonas Brothers, Aly & Aj, JoJo, por edhe këngëtarë të tjerë”, kishte thënë ajo më parë, përderisa gjatë këtij evenimenti këngëtarja ka interpretuar edhe këngë shumë të vështira, siç ishin disa këngë të Alicia Keys.

“E ëmbël, e bukur dhe më zë të mrekullueshëm”, kishte thënë pikërisht Randy Jackson për Melindën, të cilën e kishte zgjedhur për të ecur me tutje në këtë garë.
Interesante për shumë amerikanë ka qenë edhe historia e Melindës.

Ajo kishte rrëfyer rrugën se si kishte shkuar në Amerikë nga Kosova, si kishte fituar Green Card, përderisa ku kishte marrë “Golden Ticket”, juria i kishte thënë se kjo është edhe një “Green Card” për të. Edhe Jennifer Lopez e kishte lëvduar shumë kosovaren në paraqitjen e parë të saj.

Ndërkaq të vetmit që i pëlqeu Ademi në këtë finale ishte Steven Tyler.

“Më të vërtetë më pëlqeu Melinda. Në interpretimin e saj kishte shumë më shumë gjëra të sinqerta dhe interesante sesa tek interpretimi i Thias. Më vjen keq që ajo u eliminua”, tha Steven Tyler.

Pas interpretimit të saj, Ademi ka falënderuar jurinë dhe ka vlerësuar lart pjesëmarrjen e saj në këtë finale, duke thënë se eliminimi nuk e bën atë të ndalojë së kënduari, përkundrazi do ta shtyjë atë për të punuar edhe më shumë në të ardhmen.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›