E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendi i dytë, humbësi më i mirë

Jose Mourinho është shprehur kundër Manuel Pellegrinit, i cili ndihet i kënaqur me atë që bëri në Real Madrid sezonin e kaluar. Trajneri portugez thotë se të përfundosh i dyti, je humbësi më i mirë. Sa i përket së ardhmes, trajneri i Real Madridit e sheh veten në futbollin anglez ose atë italian. Nga Express më 03 mars 2011 në ora 09:53

Trajneri i Real Madridit, Jose Mourinho nuk duket i impresionuar me rezultatin që e arriti paraardhësi i tij në klubin ‘Los Blancos’, Manuel Pellegrini. Trajneri aktual i Malagës ka thënë se është i kënaqur me pozitën e dytë, të cilën e arriti vitin që shkoi, por trajneri portugez mendon ndryshe.

“Në filozofinë time, të përfundosh i dyti, je humbësi më i mirë. Je më i miri nga pjesa tjetër e tabelës. Është njëjtë si të përfundosh 10 pikë prapa kampionëve, por t’i shënosh 500 gola. Je sërish vetëm numër dy”, tha në konferencë për shtyp Mourinho, ekipi i të cilit gjithashtu gjendet në pozitën e dytë këtë edicion.

Eliminimi i turpshëm nga Copa del Rey dhe eliminimi në të tetën e finales nga Liga e Kampionëve sezonin e kaluar, i mjaftojnë trajnerit portugez që të jetë më i mirë se Pellegrini. Këtë e thotë edhe vetë ish-trajneri i Interit.

“Ne qëndrojmë sivjet më mirë në këto kompeticione, plus kemi mundësi që ta mposhtin ekipin që e eliminoi Realin vitin që shkoi. Pra, unë po bëj punë më të mirë se ai”, shtoi Mou.

Mourinho megjithatë e pranon se Pellegrini nuk ka bërë punë të keqe në Madrid dhe e mirëpret atë që të hyjë në dhomat e zhveshjes, pasi të përfundojë ndeshja, për t’i takuar ish-bashkëpunëtorët dhe ish-lojtarët e tij.

“Unë e pranoj se ai e shijoi kampanjën e La Ligës sezonin e kaluar dhe shpresoj që fansat do t’i urojnë mirëseardhjen. Ai është i mirëseardhur që të hyjë në dhomën e zhveshtores pas ndeshjes dhe t’i përshëndesë njerëzit me të cilët ka punuar vitin e kaluar”, vijoi ish-trajneri i Chelseas.

Portugezi është ndalur të flasë edhe për të ardhmen e tij. Ai i ka idetë e qarta se ku do ta vazhdojë ta kryejë zejen e tij. “Nëse një ditë shkarkohem nga Real Madridi, nuk do të shkoj në Malaga, por në një skuadër të madhe angleze ose italiane”, tha Mourinho, i cili e provokoi vazhdimisht kundërshtarin e tij të radhës, Pellegrini.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›