Licenca, i vetmi dokument për ushtrimin e profesionit
Licenca është i vetmi dokument që i jep profesionistit të drejtën për ushtrimin individual të profesionit. Pajisja me këtë dokument mbështet në ligjin nr.8615, datë 14.06.2000 “Për Urdhrin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, ligjin nr.10107 datë 30.03.2009 “Për Kujdesin Shëndetësor në Republikën e Shqipërisë” dhe në ligjin nr.10171 datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë” dhe është i detyrueshëm për të gjithë mjekët, stomatologët dhe profesionistët e tjerë që ushtrojnë profesionin në Republikën e Shqipërisë, si në sistemin publik dhe atë privat. Në bazë dhe për zbatim të këtyre ligjeve, është lëshuar edhe urdhri i ministrit të Shëndetësisë, nr.128, datë 3.03.2010, drejtuar të gjithë institucioneve për pajisjen e mjekëve dhe stomatologëve me licencën për ushtrimin individual të profesionit. Akti i licencimit dhe rilicencimit të profesionistit të shëndetësisë, të mjekëve dhe stomatologëve, sipas Urdhrit të Mjekut, duhet vlerësuar si një komponent i rëndësishëm i reformave që po ndërmerren në sistemin shëndetësor. Në kuadrin e vetërregullimit profesional, i cili konsiston në sigurimin e standardeve të larta të ushtrimit të profesionit dhe përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor, licencimi dhe rilicencimi janë hallka përmbyllëse në kuadrin e rivlerësimit periodik të kompetencës dhe performancës profesionale të çdo mjeku e profesionisti të shëndetësisë, proces i cili finalizohet me aktin e dhënies ose jo të licencës.