Cirku, akrobaci me shfaqjen Qielli pikon yje
Cirku shqiptar mbërriti në stacionin e tij të 50-të. Për artistët dhe spektatorin e kudondodhur kjo është ora e një fati të madh. Artistët e arenës, akrobatët, ekuilibristët, xhonglerët dhe artistët e ajrit e pritën këtë ngjarje artistike me shfaqjen më të re të Cirkut të Metropolit, të titulluar Të kapërcesh ylberin,e cila i la vendin dhe shfaqajes tjetër Qielli pikon yje. Premiera e parë ishte një shfaqje, e cila që në javën e parë solli një rekord shikuesish dhe po tregoi njëherësh
ndryshimin dhe zhvillimet më të reja, të ndodhura këto vitet e fundit në këtë arenë. Të përgjegjshëm për arritjet e tyre sa teknike, aq edhe artistike, të mbështetur në çdo etapë nga ndërhyrjet e domosdoshme në teknikë dhe performancë, artistët e këtij cirku arritën të realizonin një ëndërr që duket se përgjatë këtyre viteve jo të lehtë të historisë së cirkut, nuk është shuar asnjëherë. Në një strategji të re të afrimit me publikun, në një konceptim dhe riorganizim të të gjithë numrave artistikë, kjo premierë u ndoq nga shfaqja"Qielli pikon yje". Premiera e re realizim me një regji të përgjithshme nga Kiço Londo, ku elementi dramaturgjik mishërohet në një fëmijë, që do të simbolizojë fillesën, vazhdimësinë dhe shpresën e Cirkut Shqiptar, ndërthurrur me elementët artistikë. Shfaqja u mirëprit nga spektatori, ku artistët e cirkut shpalosën aftësitë e tyre krijuese në numrat "Vertikale me rrëshqitje" nga mjeshtri Fatos Alla, "Litari" nga Fitnete Duro, "Xhongler me topa" nga Sokrat Buza dhe Haki, "Shkalla e ekuilibrit" nga Xhejms Kodra, "Dyshe force nga Fiqiri Luli dhe Sabina Troshku, etj. Numrat artistikë janë realizuar nga Mjeshtrit e Merituar : Fatos Roshi, Kujtim Duni, Pavli Sallata, Ali Jucja. Elementët e lartësisë u sollën nga akrobatët Klaudia Duro, Loreta Lika, Brunilda Koka, të ndihmuar nga ekuilibristi dhe artisti i numrave-bazament, Rubin Zuna. Freski dhe larmi sollën numrat me kafshë, realizuar nga mjeshtri Alush Iljani, si dhe pjesëmarrja e jashtëzakonshme e të kudondodhurve kllounë, Vilson Gjonçaj dhe Novruz Hyseni.