Kirurgu i spitalit të Burgut, në arrest shtëpie
TIRANË- Gjykata e Tiranës liroi nga qelia kirurgun Ardian Nelaj, duke e lënë atë në arrest shtëpie. Sipas prokurorisë, ndaj tij janë ngritur dyshimet për kryerjen e veprës penale të “korrupsionit pasiv” dhe “shpërdorimit të detyrës”, por vetë doktori Nelaj e ka kundërshtuar ashpër akuzën edhe para gjykatës. “Kam vite që punoj pranë Qendrës Spitalore të Burgut dhe në asnjë rast nuk kam kërkuar para nga pacientët që janë shtruar aty për ndonjë shërbim. E vetmja gjë që është kërkuar nga unë, drejtori, infermierët dhe personeli i burgut janë barnat apo pajisjet e fashimit të plagës, që spitali nuk i disponon. Këto janë kërkuar të blihen, por në asnjë mënyrë lekë kesh për punën apo shërbimin që kryej. Unë nuk i kam kërkuar para pacientit Haxhi Ahmeti apo të afërmëve të tij. Ata me vullnetin e tyre më kanë dhënë para në formë dhurate, për kryerjen e operacionit me sukses të pjesëtarit të familjes së tyre”,-u shpreh Nelaj para gjykatës. Gjatë seancës paraprake, prokurori i çështjes konfirmoi edhe para togave të zeza, se arsyeja e kërkesës për caktimin e masës “arrest shtëpie” është fakti se kirurgu Nelaj nuk ka kërkuar lekë. Gjykata, pasi dëgjoi palët në proces pranoi dhe e cilësoi arrestimin e kirurgut Nelaj si të ligjshëm dhe vendosi caktimin e masës së sigurisë “arrest shtëpie” deri në përfundim të hetimeve. Gjithashtu, gjatë fjalës së tij para gjykatës, kirurgu Nelaj nuk pranoi se disponon një llogari bankare me një shumë të deklaruar nga policia, pasi rroga që merrte i mjaftonte vetëm për të jetuar dhe arsimuar fëmijët.