Puçini vjen me Manon Lescaut në skenën operistike
Vepra e vënë për herë të parë në skenë në vitin 1983, premierë në TKOB Sezoni artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit nis me një prej kryeveprave më të njohura botërore. Vepra, e cila mban firmën e kompozitorit të njohur italian Puçini Manon Lescaut pritet të jetë premiera e parë që do të hapë këtë sezon artistik në TKOB. Vepra, e cilado të vijë me regji nga emri i njohur i skenës operistike Nikolin Gurakuqi do të ngjisë në skenë disa nga emrat më të njohur të skenës operistike shqiptare. Për publikun do të vijnë Irini Nikolla,
Shoresa Beka, Eva Golemi, Erlin Zeraliu etj, të cilët të udhëhequr nga regjisori Gurakuqi premtojnë të sjellin në skenë një shfaqje të bukur dhe me vlera artistike. Regjisori Nikolin Gurakuqi i ka filluar përgatitjet qysh sezonin e kaluar për t`i vijuar ato në datën 7 janar e në vijim. Është një opera me katër akte, e cila sjell një histori interesante në fillim të sezonit të ri të vitit 2010. Një dashuri e cila do të kthehet në tragjedi në këtë vepër,që është cilësuar si triumf i kompozitorit të njohur italian Puçini. Vepra, e cila u vendos për herë të parë në vitin 1983 në skenën italiane do të vijë premierë për publikun shqiptar në skenën e TKOB. E ndërkohë që regjisori Gurakuqi veç veprave të tjera që mbajnë firmën e kompozitorëve të njohur botërorë, një sukses të veçantë ka pasur dhe me vepra që mbajnë firmën e këtij kompozitori të njohur botëror. Kështu mbrëmja e pagëzuar Viss dArte, që u organizua para disa kohësh në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, solli për publikun e metropolit shqiptar pjesë nga veprat më pikante të kompozitorit italian Puçini, i konsideruar si një ndër më të mëdhenjtë të shekullit të XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të. Gjatë kësaj mbrëmjeje, solistë të TKOB interpretuan pjesë nga operat ''Turandot'' dhe "Toska", vepra të repertorit të këtij institucioni të vëna në skenë suksesshëm për publikun shqiptar. Në fakt Puçini është një ndër të paktët kompozitorë të operës, i cili në mënyrë brilante ka ditur të përdorë teknikat e operës gjermane dhe italiane. Jo rrallë herë ai është konsideruar si pasardhës i Giuseppe Verdit. Disa nga meloditë e tij si "O mio babbino caro" dhe "Nessun Dorma" nga Turandot sot janë pjesë e kulturës së përditshme popullore. Opera e tij e parë ishte Le Villi në vitin 1884, ndërsa triumfi i tij i parë ishte Manon Lescaut në vitin 1893. Përveç se shkroi dymbëdhjetë opera, Puçini kompozoi edhe vepra të tjera të njohura si një Meshë solemne, një ''Himn për Romën'', një kapriçio simfonike, dy prelude simfonike etj. Viti 2008 i shpallur në botë, si viti i Giacomo Puçinit, (22 dhjetor 1858 - 29 nëntor 1924 ), përveçse u kremtua në metropolin shqiptar nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit me një seri aktivitetesh, ai ishte i tillë edhe në shumë vende të tjera të botës. Ndërkohë që një sukses me vepra të këtij kompozitori regjisori Nikolin Gurakuqi ka pasur dhe me veprën Tosca. Nën regjinë e Gurakuqit, kjo opera pati si kormaestër Dritan Lumshi, ndërsa solistët e ftuar përveç protagonistëve shqiptarë Edith Mihali, Sonila Baboçi, Armaldo Kllogjëri etj, ishin dhe Agim Hushi dhe Suat Arykan. Perla e Puçinit mundi të sillte një atmosferë të jashtëzakonshme në skenën e Teatrit të Operës. Edhe pse kjo ishte një nga operat më dramatike të Puçinit, regjisori Gurakuqi mundi të sillte performancën e duhur që kërkon një vepër e tillë. I ftuar ishte dirigjenti italian, Franco Vasali, i cili punoi për këtë vepër me orkestrën shqiptare. Për publikun shqiptar, kompozitori i famshëm italian Xhakomo Puçini, është mjaft i njohur, kryesisht me operat Madam Butterfly dhe Tosca. Ariet e tyre janë po aq të njohura, sa edhe fundi tragjik i heronjve. Puçini, kompozoi edhe një opera tjetër, bazuar në dramën e David Belascos Vajza e Perëndimit të Praruar. Ajo pati një sukses të jashtëzakonshëm në premierën e saj në Shtetet e Bashkuara, por nuk e arriti dot kurrë famën e Madam Butterfly, megjithëse për amerikanët, Puçini mbeti gjithmonë kompozitori më i dashur italian i operave. Por opera Vajza e Perëndimit, mund të jetë duke zënë vendin e saj të merituar mes artdashësve amerikanë. Ngjarjet e Vajzës së Perëndimit, mbështetur në libretin e Belascos, zhvillohen në Kaliforni gjatë periudhës së Etheve të Arit. Të izoluar e të pushtuar nga ethet e arit, në mesit të shekullit të 19-të, të pashpresët, ëndërrimtarët dhe të përjashtuarit nga shoqëria janë në kërkim të pasurisë. Por në vend të arit, Minnie, një parukiere dhe mësuese e Biblës dhe Ramerrez, ose ndryshe Dick Johnson, një bandit meksikan, zbulojnë dashurinë. E ndërkohë që për publikun shqiptar pritet të vijë një tjetër histori e bukur nga Puçini.
Last Updated on E Hene, 11 Janar 2010 21:13