Berisha: Rama shkonte në Durrës tek dyqanet e deputetëve të tij. Majko po bëhet kurban pse tha të vërtetën për Zogun
Kryeministri deklaroi në mbledhjen e qeverisë se në Shqipëri është rritur ndjeshëm fuqia blerëse. Berishës i djeg shumë puna e bizneseve të vogla dhe deklaron se Rama ka shkuar tek dyqanet e deputetëve të tij në Durrës. Po Berisha pse nuk del të shëtisë mes dyqaneve siç bënte dikur? Sidomos tani që është rritur ndjeshëm fuqia blerëse do e presin me lule
Kryeministri Sali Berisha deklaroi sërish në nisje të mbledhjes së qeverisë se kryefjala do jetë ekonomia. Berisha tha se në vend është rritur ndjeshëm fuqia blerëse dhe këtë e konfirmojnë tregtarët vetë.
Shitjet e përgjithshme në këtë vend, sipas deklaratave të atyre që shesin, njohin një rritje prej 25.6 përqind këtë vit në krahasim me vitin e kaluar. Tregtia njeh një rritje edhe mbi parashikimet. Kjo rritje dëshmon para së gjithash e mbi të gjitha një rritje të qartë të fuqisë blerëse në këtë vend.
Unë u them shqiptarëve se nuk ka asgjë më të sigurt se ajo që deklarojnë vetë shitësit e tregtarët që kanë shitur. Në asnjë rrethanë ata nuk i rrisin këto shifra. Mundet që ti zvogëlojnë.
Pra qarkullimi i gjakut të ekonomisë shqiptare është në formën më të mirë. Kjo nuk do thotë se nuk ka qytetarë në vështirësi, tha Berisha.
Kryeministri komentoi edhe vizitën e kryetarit të PS, Edi Rama, me tregtarët e vegjël në Durrës. Ai tha se Rama ka shkuar tek dyqanet e deputetëve të tij.
Rama shkonte tek dyqanet e deputetëve të tij në Durrës për të bërë deklarata. Por të paktën të zgjidhte biznese të tjera, jo të deputetëve të vet, se e panë të gjithë njerëzit. Nuk them se nuk ka njerëz që nuk kanë para për të blerë, nuk them as se nuk ekzistojnë listat. Por po bëjmë gjithçka për punësimin e qytetarëve. Në Shqipëri nuk ka rritje të papunësisë, por ka krijim të vendeve të punës, tha Berisha.
Të tjerët në rajon i kanë në ulje progresive shitjet. Nuk është mirë të bësh deklarata pa iu referuar të dhënave zyrtare, vijoi kryeministri.
Dje kam marrë një mesazh nga një biznesmen vlonjat, ku falënderon qeverinë për vendimin e fundit, ku u ul tarifa që paguan biznesi për kontrollin e kasave fiskale. Ne nuk bëjmë premtime boshe, atë që premtojmë e bëjmë.
Në fund të mbledhjes, Berisha foli edhe për qëndrimin që ka mbajtur deputeti socialist, Pandeli Majko në lidhje me mbretin Zog.
Zoti Majko rrezikon të bëhet kurban i mbretërisë vetëm pse bëri një deklaratë në përputhje të plotë me vendimet e parlamentit shqiptar për mbretërinë. Sepse është parlamenti shqiptar ka vendosur në unison për referendum për mbretërinë, tha Berisha, që akuzoi se e majta e interpreton historinë me ngarkesa enveriste.