Pukë, arrestohet i kërkuari për vrasje
Forcat speciale Renea kanë mundur të arrestojnë në qytetin e Pukës një shtetas të dënuar me 15 vjet burgim për vrasje. Pas informacioneve të siguruara për vendndodhjen e të kërkuarit Ervin Meta, 24 vjeç, i dënuar në mungesë për vrasje me dashje të kryer në bashkëpunim, policia së bashku me forcat speciale Reneakanë zhvilluar në qytetin e Pukës operacionin e koduar X Club.
Si rezultat është bërë e mundur kapja e 24 vjeçarit. Sipas policisë, ky shtetas, në bashkëpunim me vëllain e tij, Elvis Meta dyshohet se më datë 10 qershor të vitit 2009, pas një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me armë të ftohtë thikë, jashtë ambienteve të lokalit X club të ndodhur në rrugën e Durrësit në Tiranë, shtetasin Jetmir Ferhati, i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme.
Mësohet se ndaj shtetasit Ervin Meta, Gjykata për Krimet e Rënda Tiranë ka dhënë dënimin me 15-vjet burgim për veprën penale vrasjes me dashje e kryer në bashkëpunim, ndërkohë që vëllai i tij Elvis Meta është ndaluar në kushtet e flagrancës menjëherë pas ngjarjes.
Anila Dushi