E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë, drejt shkatërrimit kullat shekullore

PUKË- Ndërtesat e fortifikuara, apo të njohura ndryshe si kulla po shkojnë drejt shkatërrimit, e bashkë me to edhe një pjesë e trashëgimisë së kombit. Kullat kryesisht gjenden në veri të Shqipërisë. Një pjesë e këtyre ndërtesave, që për studiuesit përbëjnë interes të vecantë, po shkojnë drejt shkatërrimit.

Edhe pse në Pukë ka kulla të shpallura si monument kulture, ato nuk gëzojnë asnjë përkujdesje, madje duket se edhe vetë shteti nuk di për ekzistencën e tyre. Për studiuesin Jaho Brahja ruajtja e këtyre ndërtesave mbetet një domosdoshmëri, pasi ndërtimet e tipit të vecantë jo vetëm që ndikojnë në tërheqjen e turistëve, por shpalosin një pjesë të trashëgimisë kulturore të kombit.

“Ka kulla tipike me shumë vlera, të cilat edhe banorët janë të interesuar që t’i ruajnë por bëhet një punë shumë e vogël, nga pushteti lokal që t’i vijë në mbrojtje, si një pasuri i papërsëritshme, që nuk rindërtohen më. Me shpenzime minimale ato mund të ruhen si vlera të trashëgimisë kulturore. Për zonën e Pukës duhet vecuar kulla e Kokdodës, është një kullë 2 shekullore, me arkitekturë të vecantë”, tha studiuesi.

Kullat janë ndërtesa dy apo më shumë katëshe, të cilat më parë përdoreshin si banesa të sigurta, nga të cilat mund të zhvilloheshin edhe shkëmbime zjarri, me qëllim mbrojtjen nëpërmjet elementeve të tyre të sigurisë, të ruajtura edhe sot. Stili arkitekturor i këtyre ndërtimeve por edhe ngjarjet që rrjedhin prej tyre janë një tjetër element për joshjen e turistëve dhe për zhvillimin e turizmit aventurë.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›