E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrëfimi i babait: Djalin e vrava në gjumë, më turpëronte me fshatin

LEZHE -Ishte vetëm 1 vjeç, kur mbeti jetim. Mungesa e dashurisë së nënës (gruaja humbi jetën në një aksident automobilistik) la gjurmë në fëmijërinë e trazuar të Nikolin Stomiçit. Marrëdhëniet e ndera me njerkën dhe me të atin mbyllën tragjikisht jetën e 15-vjeçarit. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, minoreni nga fshati Torovicë e rrethit të Lezhës ishte në gjumë, kur u qëllua për vdekje nga babai i tij. Një plumb pushke mbi kraharor dhe “djali rebel” iku tek të shumtët. “Djalin e vrava se nuk mund ta lija të më turpëronte me fshatin”. Kështu deklaroi pak orë pas krimit makabër, babai i viktimës, Ndue Stomiçi. Ngjarja e rëndë ka tronditur jo vetëm banorët e zonës, por ka lënë pa fjalë dhe policinë. “Jemi marrë me dhjetëra vrasje, por ekzekutimi i 15-vjeçarit nga ati i tij kalon çdo cak njerëzor. Është turp për shoqërinë shqiptare një ngjarje e tillë, së cilës nuk mund t’i vëmë emër dhe nuk mund të komentojmë për të”. Kështu deklaruan dje drejtues të policisë së qarkut të Lezhës. Sipas policisë lokale, dyshohet që autori i krimit, Ndue Stomiçi mund të vuajë nga probleme mendore, pavarësisht se ai nuk është i kartelizuar zyrtarisht.
VRASJA
Një fëmijëri e vështirë është shuar në krevatin ku netëve “vraponte” me ëndrrat. Nuk e ka parë mëngjesin t’i trokiste në dritare dhe si çdo ditë të endej trazovaç rrugëve të fshatit. Më në fund i ka lënë të gjithë të “qetë”; babain, njerkën dhe banorët e fshatit që herë-herë ankoheshin për prapësitë e tij. Ndërsa po zbardhte dita, Ndue Stomiçi lindur në Dukagjin të rrethit të Shkodrës dhe banues në fshatin Torovicë të komunës Balldre i është afruar krevatit të të birit dhe e ka qëlluar atë me pushkë teksa ishte në gjumë. 15-vjeçari ka mbetur i vdekur në vend, pa mundur të shikonte për herë të fundit babain e tij. Krisma e armës ka alarmuar fqinjët, të cilët menjëherë kanë sinjalizuar policinë për ngjarjen.
HETIMI
Forca të shumta policore kanë shkuar në fshatin Torovicë dhe kanë kryer veprimet e para hetimore. Pas marrjes së dëshmive nga bashkëshortët Stomiçi policia lokale pohojnë se 43-vjeçari Ndue Stomiçi u arrestua rreth orës 10:30 të ditës së djeshme. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një automatik model 63 i kalibrit 7.62mm; 13 gëzhoja model 56 si dhe 27 fishekë. Kryefamiljari u dërgua në qelitë e paraburgimit në komisariatin e policisë së Lezhës ku dhe u morën në pyetje. Mësohet se për orë të tëra, Stomiçi nuk pranuar të flasë rreth motivit të ngjarjes, por thjesht ka pranuar autorësinë e vrasjes së djalit të tij 15-vjeçar. Burime pranë grupit hetimor sqarojnë se pasditen e djeshme, 43-vjeçari u shpreh se i biri po e turpëronte me fshatin dhe se ai nuk mund ta duronte një gjë të tillë. “Djali nuk më dëgjonte fjalën as mua dhe as gruas. Ai grindej vazhdimisht me ne, por më sillte probleme dhe me bashkëfshatarët. Nuk mund të duroja më një situatë të tillë, ndaj e vrava në gjumë”, - ka thënë, Ndue Stomiçi. Sipas ekspertëve të çështjes, vrasësi është munduar ta përshkruaj dhe skenarin e krimit, duke hedhur poshtë dyshimet se autor i vrasjes së 15-vjeçarit mund të ishte ndonjë person tjetër. 43-vjeçari akuzohet për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” dhe “prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake.

(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›