Pukë, endacak nga frika e gjakmarrjes, ndihmë nga bashkia
PUKE- Vazhdon të endet rrugëve të qytetit të Pukës, 38 vjecari nga fshati Berishë e Epërme në Iballë të Pukës. Ndërsa sot, bashkia e Pukës i ka kërkuar Inspektoriatit Social Shtetëror të marrë masa për sistemimin e endacakut Bardhok Desku i cili u kthye i tillë pas daljes nga burgu për një krim të kryer vite më parë, për të cilin sot i druhet gjakmarrjes. Bashkia nëpërmjet një shkrese të dërguar pranë Inspektoriat Social Shtetëror kërkon që 38 vjecari që ka frikë nga gjakmarrja të merret në mbrojtje dhe ti sigurohet një strehë. 38 vjecari kalon si ditët edhe netët në të ftohtin e acartë që ka përfshirë zonën, pas dëbimit nga fshati 15 vite më parë pas vrasjes në gjaknxehtësi e sipër të kushëririt të tij. Historia e Bardhok Deskut është trajtuar në Neës24. Në fshatin e tij Berishë e Eperme ku gjakmarrja mbetet një fenomen i rrënjosur në jetën e njerëzve që jetojnë atje, banorët pohojnë se pas krimit të kryer vite më parë, për të cilin ka kryer dënimin e merituar, Bardhoku nuk ka më vend në fshat. Ndërkohë ka edhe prej atyre banorëve të cilët mendojnë ashtu si kryetari i komunës së Iballës, Gëzim Vata të cilët i bëjnë apel shtetit dhe institucioneve të rehabilitimit të mos e lënë këtë njeri të endet rrugëve. Pas krimit të ndodhur 10 vite më parë, frika nga gjakmarrja ka bërë që familja e Bardhokut të largohet nga fshati, ndërsa njëri prej kushërinjve të paktë që ka mbetur në fshatin e lërgët të Iballës thotë me dhimbje se ai nuk duhet të kthehet më në vendin e lindjes. Në këtë pikë të thellë të veriut të Shqipërisë kuptohet qartë se si mentaliteti që vjen nga hasmëria apo gjakmarrja mban peng jetën e njërzve, madje i shndërron ata në endacakë të rëndomtë. Institucionet që duhet të shëmbin tabu të tilla apo që duhet të ndihmojnë viktimat e hasmërive duket qartë se nuk funksionojnë.(m.a/News24/BalkanWeb)