Rama: Nga java e ardhshme rinisin protestat
SHBA- Në një intervistë për VOA lideri opozitar Edi Rama ka reaguar në lidhje me paktin aq të përfolur të kufirit detar me Greqinë, i cili u pezullua nga Gjykata Kushtetuese një ditë më parë. Rama është shprehur se ankimimi i PS është bërë për një hetim të thellë të këtij pakti që ishte një kundërshtim me interesat e publikut. “Shpreh keqardhje për katandisjen e qeverisë në Shqipëri në një instrument të errët që kërkon në kundërshtim me interesat e publikut edhe me interesa më të mëdha. Sigurisht që ankimimi i këtij pakti në Kushtetuese u bë për një ekspertizë më të thellë, pasi pakti provokoi ndjeshmërinë e publikut” – deklaroi Rama.Rama ka theksuar se do të vazhdojnë protestat e opozitës në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" për sa kohë që nuk ka dialog dhe mirëkuptim. Dialogu është instrumenti i politikës së mirëkuptimit, për sa kohë nuk ka dialog për mirëkuptim ka edhe protesta. Që javën e ardhshme do të rinisin protestat, pasi një popull i tërë nuk mund ti nënshtrohet vullnetit të mashtrimeve. Populli do të rikthehet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” edhe më shumë në numër” - deklaron kryesocialisti. Gjatë intervistës së dhënë sot për VOA lideri opozitar theksoi edhe njëherë bindjen se nuk do të kthehen në Parlament deri në tansparencën e plotë të zgjedhjeve. Sipas Ramës, opozita nuk kërkon të ndryshojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet, por vetëm të hetohen plotësisht, kjo nënkupton hapjen e kutive dhe sigurisht të mos përsëritet e njëjta maskaradë sipas tij, edhe në zgjedhjet e ardhshme. "Kemi bërë të qartë që opozita nuk do të kthehet në Parlament deri në transparencën e plotë të zgjedhjeve. Nuk kërkojmë ndryshim të rezultateve në tavolinë por hapjen së kutive për popullin që ka votuar. Bojkoit është shprehja e një krize të thellë të demokracisë, e vetmja rrrugë që na ka mbetur për të mbajtur forcën tek transparenca e zgjedhjeve që në kënvështrim tonë ishin jashtë standardeve që populli shqiptar kërkon për të zgjedhur përfaqësuesit e tij. Transparenca e zgjedhjeve është parakusht për ti treguar fundin e një procesi të turpshëm zgjedhor popullit që voton.” - nënvizon Kreu socialist. Sipas Ramës hetimi i zgjedhjeve duhet të nxjerrë dy konkluzione “A ka pasur deformim dhe shkelje të ligjit dhe cfarë mase do të marrin për përmirësimin e procesit zgjedhor?"(m.a/BalkanWeb)