“Vizat” KE: Dialogu nis më vonë
PRISHTINE- Komisioni Evropian nuk e interpreton si nisje të dialogut për liberalizimin e vizave takimin e së mërkurës mes ekspertëve të këtij komisioni dhe Qeverisë së Kosovës. Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, duke u bazuar në temat e parapara për diskutim, e kanë quajtur, takimin treditësh edhe si një nisje të dialogut për liberalizimin e vizave. Zëdhënësja e Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Kosovë, Maja PavloviC, tha se takimi është një hap para drejt procesit të liberalizimit, meqë diskutohen temat që hyjnë në këtë fushë, por me të nuk nis procesi i liberalizimit. “është një hap përpara, sepse temat që do të diskutohen, temat mbi punët e brendshme, si: riatdhesimi, riintegrimi, regjistrimi civil, menaxhimi i integruar i kufijve, janë të njëjtat që do të diskutohen edhe kur të nisë procesi i liberalizimit të vizave: Ekspertët e Komisionit, kur të vijnë në Kosovë, në kohën kur të nisë procesi, sigurisht se do ta vlerësojnë situatën edhe mbi bazë të konkluzioneve të takimit të sotëm. Pra, në njëfarë forme, është një lidhje, por, sërish, sot nuk po e nisim procesin e liberalizimit të vizave”, tha zëdhënësja Maja PavloviC. Në të vërtetë, nisjen e dialogut për liberalizimin e vizave në fund të janarit ose në shkurt, e ka paralajmëruar edhe vetë raportuesja për Kosovën e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek. Parlamenti Evropian i ka rekomanduar, vitin e kaluar, Komisionit Evropian që të nisë këtë dialog, në mënyrë që të mos mbetet vetëm Kosova jashtë këtij procesi. Maja PavloviC tha se procesi nis këtë vit, por pa dhënë data të sakta. (e.n/Rel/BalkanWeb)