E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia kërkon referendum për portin e peshkimit

 
 
Aleks Kalemasi
Durrës - Bashkia e Durrësit do të mbajë referendum për portin e ri të peshkimit. Përplasjet e ditëve të fundit në lidhje me vendin për ndërtimin e portit të ri të peshkimit kanë bërë që të diskutohet edhe ky variant, në rast se nuk arrihet në një kompromis me Ministrinë e Mjedisit. Kjo gjë është deklaruar dje nga kreu i Bashkisë së Durrësit, i cili në një konferencë për shtyp u deklarua prerë, se nuk do të pranohet që porti i ri të ndërtohet në vendin që propozohet nga Ministria e Mjedisit. Dako ka deklaruar se bashkia propozon tre variante të tjera ku mund të ndërtohet ky port. Ai sugjeroi që më mirë për qytetin do të jetë ndërtimi i portit në pjesën verilindore të portit detar, te kalata zero, në vendin ku gjendet anijet e bllokuara, ose në Porto Romano. Të tre këto variante janë më të mirë sesa varianti që propozohet nga Ministria e Mjedisit pas kalatës zero, ngjitur me murin rrethues të portit. Dako ka kritikuar këtë variant, duke deklaruar se, “në rast se porti i ri i peshkimit ndërtohet aty, kemi një ndotje të madhe për qytetin, shkaktohet një mjedis i rënduar, porti nuk qëndron nga ana urbanistike dhe krijohet një imazh negativ për turistët që vijnë nga jashtë”.
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është shprehur se personalisht nuk ka asnjë interes, por për këtë problem madhor duhet të japë mendimin e tij një opinion më i gjerë, jo thjesht një vendim i KRRT-së. Ai ka shtuar se “nganjëherë edhe KRRT merr vendime të gabuara, prandaj do të ishte më mirë që të zhvillohet një referendum qytetar, nëse nuk arrijmë në një kompromis me Ministrinë e Mjedisit”. Kryebashkiaku Dako ka shtuar se edhe studio e huaj që ka filluar punën për planin e përgjithshëm rregullues të qytetit të Durrësit është shprehur kundër ndërtimit të portit të peshkimit në këtë vend, ndërkohë që aty është menduar që të ndërtohet një port turistik për jahtet. Bashkia ka shpjeguar me një video-projektor projektin e portit, duke argumentuar se rruga që nis nga hyrja nr. 1 e portit deri në afërsi të dy kullave është shumë e ngarkuar dhe sidomos në verë në këtë rrugë trafiku mund të bllokohet plotësisht nga lëvizja e boteve, që do të furnizojnë me karburant peshkimin.
Bashkia është e vendosur që të kundërshtojë me të gjithë mjetet ligjore ndërtimin e portit, madje për sot është parashikuar zhvillimi i një seminari në formën e debatit me specialistë të ndryshëm të qytetit, nëse duhet të ndërtohet porti i peshkimit në këtë vend. Nga ana tjetër, shumica e anëtarëve të KRRT-së, 8 vetë nga 15 gjithsej, kanë bllokuar mbledhjen e kaluar të KRRT-së dhe kanë kërkuar që në mbledhjen e ardhshme të diskutohet që në fillim shqyrtimi i lejes së sheshit të ndërtimit për portin e peshkimit. Dako ka deklaruar në lidhje me këtë çështje, se “është e drejtë e tyre që anëtarët e KRRT-së të kërkojnë një gjë të tillë, por ne duam që ky vendim i rëndësishëm të merret nga komuniteti”. Bashkia nuk e ka caktuar akoma datën për mbledhjen e radhës të KRRT-së, ndërkohë që në të pritet që të ketë sërish debate për këtë pikë, e cila qysh prej një viti që ka bërë kërkesë Ministria e  Mjedisit, nuk është futur asnjëherë në rendin e ditës.
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›