Puke konflikti per pronen vriten dy vellezer
Dy vëllezer të vrarë dhe një grua e plagosur është bilanci tragjik i ngjarjes së ndodhur në mëngjesin e ditës së premte në fshatin Marraq të Komunës Qelëz të rrethit Pukë. Viktimat janë Paulin Marku 50 vjeç dhe vëllai i tij Hil Marku 40 vjeç, ndërsa është plagosur Tone Marku 40 vjeçe bashkëshortja e njërit nga viktimat. Ngjarja ka ndodhur në mëngjes në momentin kur vëllezërit po dilnin nga shtëpia së bashku me bashkëshorten. Dy persona identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur kanë shtënë me armë zjarri automatik në drejtim të vëllezërve Marku duke i lënë të vdekur në vend, ndërsa ka mbetur e plagosur bashkëshortja e njërit prej tyre. Drejtoria e Policisë së Qarkut të Shkodrës ka bërë mobilizimin e gjithë strukturës së saj dhe ndodhen në vend ngjarje duke bërë rrethimin e gjithë zonës, identifikimin e autorëve dhe po punohet për kapjen e tyre. Nga sa mësohet autorët në fjalë janë të armatosur dhe ndodhen në zonë. Sipas informacioneve që vijnë nga zona mësohet se mes viktimave dhe autorëve të ketë pasur një konflikt për cështje pronësie dhe ky konflikt të ketë nisur për një kanal vaditës.