E Diel, 1 Nëntor 2026

Puna e fëmijëve, futbolli, mesazhe për ndërgjegjësim

Sensibilizimin për garantimin e të drejtave të fëmijëve do ta bëjnë edhe futbollistët më të dashur për fëmijët

Krijimi i një jete të denjë, ku fëmijët të mund të arsimohen, si dhe t’u plotësohen kushtet për mirërritje, është qëllimi thelbësor i fushatës sensibilizuese të këtij viti.

Në kuadër të Ditës Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, ku afro 500 fëmijë, bashkë me organizatat anëtare të koalicionit “Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve”, ngritën zërin për të dhënë mesazhin “Ndal Punës së Fëmijëve”. Në takim u diskutua se në vendin tonë raportohet një shifër e konsiderueshme e fëmijëve, të cilët jetojnë dhe punojnë në vende pune që rrezikojnë jetën e tyre. Madje, të dhënat vërtetojnë se ata vuajnë forma të ndryshme shfrytëzimi, abuzimi dhe dhune. Shfrytëzimi dhe abuzimi i fëmijëve është një problem i rëndë, që prek të gjithë shoqërinë shqiptare, pasojat e të cilit janë tejet të rënda si për të tashmen, ashtu edhe për të ardhmen e shoqërisë tonë. Kjo është një nga arsyet thelbësore pse koalicioni “Bashkë Kundër Trafikimit të Fëmijëve” ndërmerr çdo vit një fushatë ndërgjegjësuese për popullsinë, qeverinë dhe punëdhënësit.

Në kuadër të kësaj fushate, FIFA nëpërmjet kampionatit botëror të futbollit kërkon të ndërgjegjësojë mbarë publikun botëror mbi fenomenin e punës së fëmijëve. Kjo do të realizohet nëpërmjet ndeshjeve të kampionatit botëror të këtij viti, ku futbollistë profesionistë do të ngrenë lart kartonin e kuq, me mesazhin: “Ndal Punës së Fëmijëve”! Sipas iniciatorëve, kjo do të shërbejë si shenjë simbolike për të penalizuar të gjithë ata që i dëmtojnë apo shfrytëzojnë fëmijët. Të gjitha këto u diskutuan në një aktivitet të organizuar në kompleksin sportiv “Dinamo”, ku pjesëmarrës ishin një numër i konsiderueshëm fëmijësh. Gjatë këtij takimi, ata jo vetëm që përcollën mesazhin për t’i dhënë fund shfrytëzimit të tyre, por kërkuan një sërë kushtesh për të mbrojtur jetën e tyre. Qëllimi i këtij aktiviteti ishte argëtimi, edukimi, si të respektojnë njëri-tjetrin dhe si të luajnë së bashku, pasi loja është pjesë e zhvillimit të tyre. Ulja e fenomenit të shfrytëzimit të fëmijëve për punë vazhdon të jetë një sfidë për vendin tonë. Ajo duhet të fillojë nga mbrojtja e fëmijëve dhe sigurimi i respektimit të të drejtave të tyre themelore. Shteti, shoqëria civile dhe komuniteti, sipas organizatave të BKTF-së, duhet të marrin përgjegjësitë që u takojnë për t’i garantuar ato.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›