Subashi: Kompetencat kushtetuese të Presidentit sduhet të preken
Debati PS-PD për projektligjin “për faljen”, iniciuar nga shumica demokrate, lidhet ndër të tjera edhe me ndërhyrjet në kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës. Deputeti socialist, Armando Subashi, njëkohësisht anëtar i Komisionit parlamentar të Ligjeve, është shprehur dje për gazetën “Shqip” se momentet e debatueshme mes PS-së dhe PD-së për projektin e sjellë nga kjo e fundit kanë të bëjnë ndër të tjera edhe me një pari kushtetuese. “Një moment debati lidhet me një parim kushtetues. Duke qenë se falja, sipas Kushtetutës, i njihet Presidentit të Republikës, ne kemi kërkuar që kërkesa e një të dënuari që pretendon faljen, qoftë edhe formalisht, t’i drejtohet Presidentit të Republikës. Projekti i sjellë nga shumica parashikon që kërkesa i drejtohet ministrit të Drejtësisë, i cili plotëson dosjen administrative dhe i sugjeron mandej kreut të shtetit emrat e personave që mund të falen. Në këtë pikë ne mendojmë se Presidenti duhet të jetë institucioni ku adresohet edhe formalisht kërkesa dhe ministri apo qeveria mund të plotësojnë me informacion dosjen, duke shfrytëzuar edhe shoqërinë civile apo organet që janë në vartësi etj”, tha Subashi. Kështu ai ka pranuar se projekti i diskutuar së fundmi përmban probleme thelbësore, që sidoqoftë prekin hapësirën juridike të Presidentit. I parë fillimisht si një konsensus i ri mes dy palëve, diskutimi mbi projektin e demokratëve duket se po e orienton opozitën në pozicione juridike të ndryshme, çka edhe ka sjellë zgjatjen në kohë të miratimit të tij. Kjo qasje që po lexohet prej PS-së si prirje për të kontrolluar edhe në këtë pikë kompetencat e kreut të shtetit, pason në fakt shqetësimet e ngritura kohët e fundit për ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit. Një arsye politike më shumë në këtë drejtim është edhe sugjerimi publik i Kryeministrit për një “ndarje të kompetencave në propozimin e gjyqtarëve, duke iu referuar kushtetutave europiane”. Pra, debatet juridike të kohëve të fundit duket se përputhen në një përfundim që perceptohet si qëllim politik, që synon kufizime të mëtejshme të institucionit të Presidentit, i cili në të vërtetë ka pësuar një goditje që me ndryshimet kushtetuese të 21 prillit 2008. Ndërkohë, Subashi ka bërë të ditur se kundërshtimi i PS-së ka ardhur edhe për sa u përket dispozitave që parashikojnë kriteret e lejimit dhe ndalimit. Në këtë kontekst, opozita kërkon një rishikim të kontingjentit të të dënuarve që falen, duke lënë jashtë kësaj të drejte për një periudhë kohore të caktuar ata që kanë kryer krime të rënda, përfshirë edhe ato që lidhen me krimin e organizuar. Ajo që ka rëndësi në këtë qëndrim të opozitës është fakti se oponenca e saj ofron një këndvështrim alternativ për një ligj i cili shfaqet politikisht delikat. Pavarësisht se miratimi i tij nuk kërkon një shumicë të cilësuar, debati që ka lindur rreth tij për shkak të interferimit me kompetencat e Presidentit evidenton një angazhim cilësisht të ri të PS-së, që rikthehet në jetën aktive parlamentare pas gati një viti.
#