E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamenti ngec nga negociatat. Shtyhen sërish dekretet e Topit

PD: Nuk janë paraqitur materialet shtesë. PS: Mbledhja dështoi se mungoi Rusmali

Nuk është zhvilluar dje seanca dëgjimore në Komisionin e Ligjeve për kandidatët për Gjykatën e Lartë të propozuar nga Presidenti Bamir Topi. Demokratët dhe socialistët japin argumente të ndryshme mbi arsyet se pse është nxjerrë jashtë kalendarit të punimeve të Komisionit të Ligjeve çështja e shqyrtimeve të dekreteve të kreut të shtetit për Gjykatën e Lartë. Demokratët fajësojnë institucionet se nuk kanë sjellë materialet shtesë për veprimtarinë e kandidatëve, ndërsa socialistët ia vendosin fajin mungesës së kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, i cili nuk ndodhej në Shqipëri. Anëtarët socialistë të Komisionit të Ligjeve thonë se, meqenëse Rusmali nuk ndodhet në Shqipëri për dy ditë, pezullohet komisioni dhe bashkë me të edhe dekretet. Në fakt, kreu i Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, ndodhet në Strasburg, ku do të marrë pjesë në hapjen e sesionit. Ndërsa demokratët shprehen se ende nuk kanë ardhur dokumentet shtesë mbi veprimtarinë e kandidatëve për Gjykatën e Lartë nga prokuroria, Dhoma e Avokatisë dhe institucioneve të tjera. Për anëtarët demokratë të Komisionit të Ligjeve, rëndësi nuk ka vonesa për transparencë. Afati trejavor për dekretet e Presidentit ka skaduar ditën e djeshme dhe pavarësisht kësaj, ndërsa socialistët fajësojnë kreun e Komisionit të Ligjeve për mungesën e tij dyditore në komision, demokratët justifikohen me faktin se nuk kanë ardhur ende materialet shtesë për veprimtarinë e kandidatëve në Komisionin e Ligjeve. “Kuvendit” i kanë mbaruar të gjitha afatet kushtetuese, duke llogaritur këtu çështjen e shqyrtimit të dekreteve, afatet limite për komisionin hetimor për zgjedhjet, i cili kishte si datë të fundit 19 qershorin dhe vetëm 38 ditë kohë për të miratuar një seri projektligjesh që kërkojnë konsensusin e 84 votave. Kriza politike dhe moszgjidhja e kësaj situate duket se po dëmton edhe procesin e punës së komisioneve parlamentare. Skadenca e afatit për komisionin hetimor për zgjedhjet, ngritur nga mazhoranca, jo vetëm që nuk solli zgjidhje, por pasoi më tej krizën politike, duke e kthyer atë në krizë institucionale me bllokimin e punës në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Dekretet e Presidentit Topi për Gjykatën e Lartë nuk do të hyjnë në procesin e seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve gjatë gjithë kësaj jave, edhe për shkak të udhëtimit të një grupimi deputetësh drejt Strasburgut.

Tri seancat dëgjimore ishin parashikuar të zhvilloheshin gjatë kësaj jave, nga e hëna deri të mërkurën, për anëtarët Medi Bici, Sokol çomo dhe Vexhi Muçmataj. Dekretet mbërritën zyrtarisht në Komisionin e Ligjeve në fillim të muajit qershor dhe afati kushtetues trejavor ka mbaruar ditën e djeshme. Rregullorja e Kuvendit për shqyrtimin e dekreteve të Presidentit Topi përcakton një afat trejavor, i cili tashmë ka kaluar. Për pasojë çështja nuk sjell probleme juridike për kandidaturat e paraqitura nga Presidenti për Gjykatën e Lartë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›