E Shtunë, 31 Tetor 2026

Puna, “shpikje” që nuk pëlqehet

Andis Harasani 

Ka diçka që më ka bërë  gjithmonë përshtypje; në zhargonin e njerëzve të medias, shumica e të cilëve miq të mi, thuhej shpesh se Partia Socialiste, ndryshe nga kundërshtarja e saj me mbiemrin e rrejtshëm Demokratike, prodhonte gjithmonë lajm. Aq i vërtetë është ky konstatim, sa dhe sot, kur normalisht duhet të ishte e kundërta, PS ka një fuqi magnetike shumë herë më të madhe se gazerma qeveritare. Duke thënë se zërat e ...ndryshëm në PS, hapësira emancipuese e saj, demokracia e brendshme janë faktorë që e kushtëzojnë një të vërtetë të tillë, ka mundësi të thuhet se kureshtja politike se çfarë ndodh në shtëpinë e socialistëve shtohet edhe, sepse në anën e përkundërt të politikës nuk ndodh asgjë. Ose më saktë dihet dhe parashikohet lehtë çfarë ndodh, varësisht humorit të doktor Berishës. Shtimi i vëmendjes, por me raste edhe i kritikës, herë dashamirëse, herë hipokrite, e herë jorealiste, për opozitën dhe mënyrën e të bërit opozitë nga opozita, lidhet gjithashtu dhe me faktin se tashmë ngjan si një fakt i kryer rikthimi i saj në pushtet.
Ky është dhe momenti ku besoj se ia vlen të ndalemi dhe të jepen disa konsiderata për mënyrën tonë të të bërit opozitë, por dhe të alternativës për rikthim në pushtet. Natyrisht ka disa të tilla. Natyrisht më e lehta, më e drejtpërdrejta, më spektakolarja do të ishte stili i vjetër i opozitës shqiptare. Shumë nga kritikat që i vijnë PS-së nuk do të kishin mundësi të artikuloheshin nëse ne do të bënim opozitën e bombave molotov. Të sulmeve kundër institucioneve. Për shembull, nëse PS do të ftonte njerëzit të dilnin në rrugë dhe të protestonin kundër qeverisë që është përfshirë në një krim shtetëror kundër qytetarëve të saj në Gërdec dhe nëpërmjet Gërdecit, në krim kundër gjithë shtetasve të republikës sonë, nëse do të bllokonim rrugën nacionale dhe autostradën, nëse do të sulmonim institucionet, shumëkush do të na konsideronte kurajozë.    
Nëse do të vazhdonim të bllokonim ditë mbas dite punimet e Kuvendit, nëse do të ndesheshim fizikisht me pjesën memece të deputetëve kundërshtarë, do të na konsideronin të fortë dhe sypatrembur.   
Nëse nuk do të shkruanim asnjë rresht për reformat, nëse do të prisnim në qetësi që Shqipëria të dështonte në aspiratën e saj strategjike për integrim në NATO, do të na quanin fitimtarë mbi Berishën.    
Nëse ne do të ulërinim ditën dhe natën për varfërinë që po shtohet nga jugu në veri, për qytetarin që nuk arrin të marrë as në nivelin më skajor asistencën e shtetit në shërbimet më të domosdoshme të tij, nëse do ta shndërronim qytetarin e revoltuar në një dorë që hedh gurë, në kuptimin fizik të kësaj fjale, do të na quanin opozitarë të vërtetë.   
Ky është një mentalitet tipik ballkanas, që burrë konsideron atë që nxjerr pushkë dhe shumë më pak atë që di të ulet në kuvend dhe të të bindë për të vërtetën e tij.    
Opozita, në veçanti Partia Socialiste, në bindjen time, ka bërë shumë më shumë se kaq, ka shërbyer për publikun më shumë, duke mos shtuar tensionin artificialisht në një vend të sfilitur nga kriza. Ajo është bërë pjesë e zgjidhjes së kësaj krize, pjesë e krijimit të recetave dhe programeve për daljen prej saj. PS ka mundur, pavarësisht edhe kostos që merr përsipër pa të drejtë me kritikat ndaj saj, të ngrihet në shumicën e rasteve edhe mbi llogari të cilat nuk shkojnë përtej mureve të shtëpisë sonë politike.    
Por kur akuzohemi për bashkëpunim me Berishën, kjo do të thotë se ose akuzatorët kuptojnë pak, ose kërkojnë të mirëkuptohen për hipokrizinë e tyre politike.   
E them një gjë të tillë, sepse nëse PS-ja ka dhënë konsensus për reforma të rëndësishme dhe vitale për vendin, e ka bërë një gjë të tillë jo për të afruar një kalë për Berishën që ai të kalojë lumin e radhës, por sepse kemi pasur bindjen e thellë që ky është shërbimi që qytetari kërkon nga ne.    
Qytetari kërkon më shumë drejtësi nga sistemi gjyqësor, dhe ne jemi të detyruar jo vetëm të përfshihemi në reformë, por dhe ta konceptojmë atë.    
Qytetari kërkon një përfaqësim të drejtë dhe zgjedhje të ndershme e të lira dhe ne jemi po aty për të dhënë më shumë se kontributin tonë.    
Ne jemi të bindur se më shumë se kacafytje, qytetari kërkon shërbim. Ashtu siç kërkon drejtësi dhe transparencë për korrupsionin galopant të kësaj qeverie, kërkon denoncimin e tij. Opozita ka treguar me gisht sesi revolucionarët e dikurshëm, janë shndërruar në fytyrat e trembura të hajdutit të të mirave materiale të vendit, të përdorimit të pushtetit për interesa private. Idetë me komplote, me marrëveshje të fshehta, me shitje dhe blerje, me tradhti apo hesape të fshehta, me llogari "të jap këtë, më jep këtë", u ngjajnë vetëm skenarëve të dobët të filmave të dobët që në Shqipëri janë realizuar më parë, por me krejt të tjerë protagonistë. Në luftën politike në Kuvend, në të gjitha rastet, kemi afruar votat tona kur në mes kanë qenë interesa që i tejkalojnë oborret e partive, por dhe të interesave të tyre parciale dhe kemi kundërshtuar po me votë dhe forcë, sa herë që ka qenë e nevojshme.     
Ne kemi kërkuar të bëjmë diferencën me kundërshtarët tanë politikë jo duke u sjellë në mënyrë simetrike ndaj tyre, por në shumicën e rasteve duke qenë hapa përpara tyre në ide dhe vizion. Kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, atë rrugë që shkakton madje edhe keqkuptime, për hir të qytetarit. Qytetari shqiptar ka të gjithë të drejtën të jetë i neveritur nga politika, duke i dhënë një politikë ndryshe, jo atë buçitësen dhe ulëritësen tradicionale shqiptare, ne duam të afrojmë shpresë dhe besim se dhe vetë politika mund dhe duhet të jetë ndryshe. Ndaj kush pret molotovë të ndezur nga ne, i duhet të presë pafund, do të gjejë vetëm alternativa dhe qytetari, do të gjejë të kundërtën e asaj çfarë ka sot, do të gjejë jo zotërinë që ndjehet zotëri mbasi merr votën, por shërbenjësin e përulur që beson se shërbesa e tij fillon kur merr votën.    
Jetesa në Shqipëri është bërë gjithmonë e më e vështirë. Shqiptari i thjeshtë është nën një presion të jashtëzakonshëm jo vetëm si rezultat i krizës ekonomike që e bën të ketë më pak bukë në tryezë, të ketë më pak energji dhe më pak para për ta paguar atë, ai është nën një shantazh të përditshëm nga propaganda zyrtare, është nën terrorin e vazhdueshëm të gënjeshtrave qeveritare që synojnë t´i largojnë urinë sa me centrale bërthamore, sa me internet dhe urrejtje për njëri-tjetrin. Të gjitha këto shqiptarët i dinë, sepse i jetojnë vetë ditë mbas dite. Ne besojmë se ata kanë më shumë nevojë t´u tregojmë sesi dilet nga kjo gjendje, se t'u tregojmë që kanë terr në shtëpitë e tyre, nuk kanë ujë në çezmat e tyre, nuk kanë ilaçe në spitalet e të gjithëve, e kështu me radhë. Idetë e mbara dhe vizionet për të ardhmen nuk brohoriten. Ato nuk janë dhe nuk mund të jenë sfond i tribunave të mitingjeve, ato janë frut i punës kokulur e të përditshme për të qenë pjesë të programit të nesërm qeverisës. Ato janë shembulli i Shqipërisë së ndryshme të së nesërmes. Duke emancipuar vetveten, ne kërkojmë të jemi pjesë e sfidës për emancipimin e gjithë shoqërisë. Në fund të verës, qytetari do të ketë një projekt-program që synon jo vetëm nxjerrjen e vendit nga kriza, por dhe një themel të shëndoshë të së nesërmes së tij. Ai është frut i një konsultimi të gjerë popullor, frut i thithjes së ekspertizës më të mirë vendase dhe të huaj, ai është më shumë se një premtim, është projekti i saktë dhe basti ynë i nderit për atë që do të bëjmë me siguri nesër.    
Në mënyrë të sinqertë, po për hir të emancipimin tonë, do të ishim të gatshëm të duartrokisnim edhe ndonjë arritje të qeverisë. Por kjo është e pamundur konkretisht, sepse edhe turi i inaugurimeve të kryeministrit që mbeti me gërshërë në dorë, është thjesht një përpjekje për të qepur një tjetër kostum iluziv për lakuriqësinë e atij vetë.   
Duke iu rikthyer dhe njëherë fillimit të këtij shkrimi, do të doja të besoja se kam dhënë disa arsye pse qëndron kaq gjatë në qendër të vëmendjes së opinionit Partia Socialiste. Në shtëpinë ku punohet zakonisht hidhen gurë. Shileri, tek drama e tij "Cubat", ka një pasazh të mrekullueshëm ku flet për "murgjër që u bie të fikët për hiç mos gjë dhe kritikojnë taktikat e Hanibalit". Eshtë shumë e lehtë të kritikosh, puna është pastaj, një "shpikje" që nuk para pëlqehet nga dembelët politikë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›