E Shtunë, 31 Tetor 2026

“KQZ të mbetet institucion i pavarur”

Reforma zgjedhore në Shqipëri duket se ka vënë në lëvizje dhe Parlamentin Evropian. 

aristir lumezi

Në një intervistë telefonike për gazetën "Panorama" një nga deputetët e këtij parlamenti, portugezi Paulo Casaca, i grupit parlamentar socialist, shpreh shqetësimin që vihet re dhe në radhët e eurodeputetëve të tjerë për fatin e KQZ-së në këtë reformë, i cili kërkohet të jetë një institucion i pavarur, por dhe të përfshirjes së një numri sa më të madh partish në këtë diskutim. Sipas tij, përjashtimi i partive politike dobëson debatin politik dhe minon demokratizimin e vendit. Për të gjitha këto shqetësime, një grup eurodeputetësh, ndër të cilët dhe zoti Casaca po përgatisin një letër në adresë të Manuel Barrozos, president i Komisionit Evropian. Sipas eurodeputetit socialist spanjoll: "Kodi Elektoral duhet të ruajë substancën e sistemit zgjedhor, që është përfaqësimi proporcional. Ndërsa për administrimin e zgjedhjeve, kemi nevojë për një sistem që nuk e kufizon transparencën e procesit".
 Kemi mësuar se ju, së bashku me një grup eurodeputetësh keni kërkuar sqarime nga autoritetet evropiane në lidhje me reformën zgjedhore në Shqipëri. Cilat kanë qenë faktorët që çuan në këtë shqetësim?
Përderisa Shqipëria është një anëtar potencial i Bashkimit Evropian, unë besoj se është detyra e BE-së dhe rrjedhimisht edhe e ligjvënësve evropianë të monitorojnë me kujdes gjithçka që po ndodh në Shqipëri. Eshtë themelore që të garantojmë zbatimin e një procesi demokratik atje. Për një kohë të gjatë, Evropa nuk i ka dhënë vëmendjen e duhur këtij rajoni, dhe unë besoj së është momenti ta ndryshojmë këtë, duke u angazhuar për të ndihmuar në ndërtimin e demokracisë.
Në vlerësimin tuaj, a ka sjellë shqetësime për të ardhmen dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor në Shqipëri, mënyra e papritur se si u realizuan ndryshimet themelore kushtetuese?
Ne po e vëzhgojmë këtë me kujdes. Për momentin jemi të shqetësuar kryesisht për amendimin që mund të prekë rolin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Unë besoj se me qëllim që të sigurohet një proces demokratik, kërkohet që KQZ të jetë një institucion i pavarur. Përveç kësaj, unë mendoj së përjashtimi i partive të tjera do të dobësonte shumë debatin politik dhe do të minonte procesin e demokratizimit në Shqipëri. Kodi Elektoral duhet të ruajë substancën e sistemit zgjedhor, që është përfaqësimi proporcional. Ndërsa për administrimin e zgjedhjeve, kemi nevojë për një sistem që nuk e kufizon transparencën e procesit.
Cilat do të ishin pasojat për integrimin e Shqipërisë në BE nëse tregon se është akoma një demokraci e brishtë?
Siç e dini, Shqipëria ka akoma rrugë për të bërë në procesin e integrimit në BE. Në këtë moment do të ishte e vështirë që të parashikoheshin pasojat, por unë besoj se është detyra jonë të jemi të vëmendshëm për demokracinë në Shqipëri. Zgjedhjet e ardhshme duhet të zhvillohen në një atmosferë të qetë dhe në përputhje me rregulla të qarta e të ndershme që favorizojnë pluralizmin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›