E Diel, 1 Nëntor 2026

Big Brother - Ngelën në klasë, fituan famën

GOSSIP PANORAMA 

Donin të bëheshin të famshëm dhe sakrifikuan shkollën. Ky ka qenë fati i tre prej protagonistëve të reality show-t "Big Brother", të cilët kanë ngelur në klasë, për shkak të provimeve të mbartura. Bëhet fjalë për Ervisin, Najadën dhe Polin, të cilët janë që të tre studentë dhe në momentin kur morën vendimin për të marrë pjesë në spektaklin e madh, zgjodhën famën, në vend të shkollës. Duket se tani nuk janë të zhgënjyer për këtë hap që kanë ndërmarrë, madje janë duke përjetuar deri në maksimum pushimet dhe argëtimet e tyre të jetës së natës, duke menduar se në tetor, fama do të vyshket dhe do nisin impenjimet e shumta universitare.
Najada
Ajo sapo kishte mbaruar sezonin e parë të provimeve, kur mori vendimin për të hyrë në shtëpinë e "Big Brother". Që nga ajo kohë, për plot 3 muaj qëndrimi në shtëpi, Najada la pas dore shkollën për t'iu përkushtuar lojës dhe Olsit, lidhjes së saj të re, që ishte edhe çmimi më i madh me të cilin arriti në finish. Pak ditë pas përfundimisht të "Big Brother", Najada u duk ato ditë në Akademinë e Arteve, por ishte një vizitë kalimthi, pasi aventura e saj, sapo kishte filluar. Me famën që kishte fituar asaj iu desh të ishte më shumë afër Olsit nëpër udhëtimet e gjata, duke lënë kështu disa provime të mbartura për vitin tjetër. Në këtë mënyrë asaj i duhet që gjatë vitit tjetër ajo të përsërisë leksionet nga e para dhe të pikturojë të njëjtat detyra kursi, që duhet t'i kishte mbaruar sivjet, fill pas daljes nga "Big Brother".
Ervisi
Edhe pse ishte ndër të parët që doli nga shtëpia, Ervisi nuk mund të ndjekë hapin e shokëve të tij të klasës. Ai ndjek aktualisht studimet e larta, në një universitet privat në kryeqytet dhe miq të tij të afërt pohojnë se, Visi është shfaqur shumë pak në shkollë dhe po kështu edhe në auditor. Ndoshta fakti që tashmë kishte fituar famën që i kishte dhënë ekrani, e kishte bërë të mendonte për të jetuar momentin, por edhe duke shpresuar gjithashtu se, pedagogët do të vendosnin dorën në zemër për t'i dhënë klasën. Por në fakt nuk ka ndodhur kështu, pasi kurrkujt nuk i interesonte zgjedhja e Visit. Miq të afërt të Ervisit tregojnë se, gjatë provimeve ai është shfaqur në shkollë dhe u kërkoi pedagogëve ta favorizojnë me një notë kaluese, por ata nuk ia kanë vënë veshin, kështu që e kanë ngelur automatikisht në klasë.
Poli
Për ata që nuk e dinë ende, Poli studion në Universitetin Bujqësor të Kamzës, më saktësisht në vitin e tretë. Ashtu si edhe miqtë e tij të ngushtë, ai ka gjasa të rrezikojë vitin shkollor, por duket se ka shpresë për të ndrequr gjithçka edhe gjatë sezonit të vjeshtës. Arsyet kanë qenë farë të thjeshta: tre muaj larg shkollës, si dhe udhëtimet e gjatë në bregdet dhe së fundmi në Kosovë, nuk ishin as më pak e as më shumë, veçse zgjedhja që kishte bërë për të braktisur vitin shkollor. Ndërkohë, lidhja me Inën, nuk ka pikë dyshimi që ishte një nga dhuratat më të bukura të vitit, kështu që Poli nuk u mendua dy herë, teksa duhet të zgjidhte mes shkollës dhe suksesit. Ky i fundit deri tani ka qenë mëse i mjaftueshëm për Polin, duke zgjedhur që vitin tjetër, të rikthehet sërish mes shokëve të klasës, një vit më të vegjël.

George Clooney Dua të jem gjithmonë seksi

Ylli i filmit "Ocean's Eleven", George Clooney, tregon se të qenit në formë është një përgjegjësi e madhe për çdo aktor. Aktori i cili prej kohësh është votuar si mashkulli më seksi i botës, i dedikon shumë kohë paraqitjes së tij, pasi dëshiron ta mbrojë këtë imazh. "Kaloj tre ose katër orë në ditë, duke u marrë me veten time. Të jesh seksi ditë e natë është një përgjegjësi e madhe. Dhe kjo mua më pëlqen!", ka thënë aktori. Clooney po ashtu pohon se ndihet i shqetësuar për rënien e flokëve dhe mendon se kjo do të ndikojë në uljen e joshjeve seksuale nga ana e tij, prandaj për momentin po ndjek një terapi mjaft të kushtueshme.

Michael Jackson shfaqet me karrocë invalidi

Një dhimbje e fortë në shpinë, e ka detyruar të ecë me karrocë invalidësh këngëtarin Michael Jackson. Pop ikona e muzikës është fotografuar i veshur me pizhame, duke mbajtur paruke, një maskë, kapelë dhe syze dielli, teksa qëndronte në karrocë. "Ka shumë spekulime për rikthimin e Michael Jacksonit në skenë, mirëpo ishte shokuese të shihje sesi tani ai është thjesht një hije e asaj që ka qenë dikur", ka thënë një dëshmitar i rastit. Pas skandalit të fundit, atij i janë ofruar shuma të majme për të dalë nga situata e rëndë financiare, vetëm po të shiste të drejtat e publikimit të këngëve të "Beatles", që zotëron prej vitesh.

Pamela Anderson pajtohet me bashkëshortin

Aktorja seks-simbol Pamela Anderson ka pranuar zyrtarisht se ajo dhe ish-burri i saj, Tommy Lee, janë sërish së bashku, duke theksuar se të dy ata bëjnë një çift të përkryer. "Ne jemi miq të mirë, jemi një kombinim perfekt, kjo është e sigurt. Kaloj shumë kohë me atë dhe kënaqemi pafund. Kjo është vetëm një prej gjërave, pasi Tommy është babai i fëmijëve të mi dhe nuk mund ta mohoj këtë", ka thënë Anderson. Ajo ka qenë e martuar më parë me rokstarin e grupit "Motley Crue" për tre vite dhe u ndanë në vitin 1998. Çifti Anderson-Lee, aktualisht po kalojnë shumë kohë bashkë, ndoshta për hir të fëmijëve të tyre.

Hera e dytë e Mirsa Kërçelit

Këngëtarja kosovare Mirsa Kërçeli, ka promovuar ditët e fundit një album krejt ndryshe si dhe dy videoklipe të reja. Janë plot 12 këngë, kryesisht të stilit R'n'B, disa këngëve ritmike, por në album është e përfshirë edhe një baladë. Mirsa ka pohuar se i ka qëndruar besnike stilit të saj, duke mos specifikuar që të ketë ndonjë ndryshim apo ndonjë surprizë për fansat e saj. Pjesa më e madhe e këngëve janë krijime të reperit, Genc Prelvukaj, ndërkohë Kërçeli do të udhëtojë për në Ulqin pas disa ditësh, ku do të mbajë disa koncerte gjatë stinës së verës. Këngëtarja është zbuluar si talent në spektaklin "Ethet e së premtes mbrëma", dhe u bë shumë e dashur për publikun, sidomos për të rinjtë, kjo falë hireve të saj, por edhe muzikës të veçantë që bën.

Elvana Gjata përgatit një këngë në anglisht

Edhe pse kanë kaluar fare pak ditë që kur ka lançuar këngën e saj më të re, pritet që Elvana të materializojë një tjetër projekt, i cili synon tregun ndërkombëtar muzikor. Bëhet fjalë për një këngë të re në anglisht, të cilën Elvana është duke e punuar dhe synon që të prezantohet edhe në ekranet më prestigjioze muzikore. "Po punohet për një këngë në anglisht, që do të jetë në albumin e ardhshëm, kaq mund të them për momentin", ka thënë këngëtarja, duke mbajtur surprizë gjithë projektin e saj. Ndërkohë, ajo ka mohuar të gjitha zërat se mes saj dhe Ermal Fejzullahut do të ketë një duet të mundshëm, madje ka theksuar se gjëja e fundit që ka dëgjuar për të ishte se po flitej se ishte i dashuruar seriozisht me një vajzë, por nuk e di nëse lajmi është i vërtetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›