E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punë apo gënjeshtra?

  Sot edhe qytetari më i thjeshtë i këtij vendi, arrin të perceptojë nevojën e Shqipërisë për t'u integruar në komunitetin e gjerë Euro-Atlantik. Kjo është kaq e thjeshtë. Së pari, këtë kahje qytetarët shqiptarë e zgjodhën vetë që në fillim të viteve '90. Së dyti, ata me të drejtë shpresojnë që integrimi në NATO dhe BE do ta qytetërojë disi këtë vend, do të forcojë institucionet dhe qeverisjen, do të krijojë kushte për një mirëqenie më të denjë. Në të njëjtën kohë, qytetarët e këtij vendi e kuptojnë shumë mirë se përpjekjet reale për integrim, lënë shumë për të dëshiruar; një situatë e zgjatur paradoksesh të paprera, e shoqëron ëndrrën e dhimbshme drejt Perëndimit. Me të njëjtin ton gri paradoksesh nga më të çuditshmet, mund të vizatohen edhe këto ditë tejet të vështira. Qytetarët e Shqipërisë panë se si disa zonja të nderuara të elitës politike kanë vizituar plot dhembshuri të mbijetuarit e tragjedisë së Gërdecit, strehuar përkohësisht në mjediset e Konvaleshencave të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Rendit. Puna ka shkuar gjer tek përkujdesjet kozmetike e më the, të thashë. Autoritete të Ministrisë së Mbrojtjes deklarojnë se ka përfunduar kontrolli i zonës në fjalë; shpejt rifillon jeta. Të tjerë njohës të terrenit, përkundrazi paralajmërojnë domosdoshmërinë e marrjes së masave të mëtejshme, për shkak të ndotjes që natyrshëm është mjaft e pranishme aty. Në një atmosferë debatesh të vazhdueshme dhe hetimesh, që tani do të përfshijnë edhe zyrtarë të lartë të shtetit, këtu ka patur gjithashtu një demonstrim të pakënaqësive të ish-ushtarakëve, të cilët prej kohësh kërkojnë pensione më të denja. Kërkesa e tyre përputhet me - së paku - një prej zotimeve që ka marrë Shqipëria për të hyrë në NATO. Por standardet që duhen përmbushur, kanë të bëjnë gjithaq me vazhdimin e reformave, me përkushtimin për ngritjen e nivelit të mirëqenies së qytetarëve, pastaj edhe me pranimin e shenjtërisë së pronës private e të tjera. A nuk i di Perëndimi këto? Të krijohet përshtypja se "palët" kanë nevojë për t'u gënjyer nga pak. Dhe në këtë klimë gënjeshtrash, shpresa për të ndryshuar, gjithsesi, është prezente. Ky është thelbi i filozofisë që përshkon kohën tonë dhe që, në fakt, përmban në vetvete një nga elementet kryesore të gjenisë kristiane: Mbyteni të keqen me shpresë!

Por le të kthehemi në realitetin prozaik shqiptar. A ka hapa në ekonominë shqiptare dhe jetën politike e institucionale në tërësi? Një fjalë e urtë popullore, na mëson kështu: Hidhu përtej hendekut, pastaj thuaj hopa(!) Do të mjaftonin vetëm disa pak shifra, për të dyshuar se janë larg së vërtetës të dhënat që ne publikojmë; kjo është përgjegjësi e administratës, sa edhe e institucioneve tona (pothuaj të gjitha) pro-qeveritare. Po t'iu hedhim një sy (vetëm) treguesve të inflacionit dhe të papunësisë në disa prej vendeve të rajonit tonë, duket sikur ne kemi një epërsi të padiskutueshme. Po a ka mendje ta pranojë si të mirëqenë këtë? Krahasimi me këto vende, në të vërtetë, flet për ndryshime të dukshme për sa i takon parimeve të komunikimit me publikun dhe transparencës në tërësi. Maqedonia e raporton (disa herë) normën e inflacionit 3.2 për qind, papunësinë 28 për qind; Bosnjë-Hercegovina - norma e inflacionit 7.4 për qind, papunësia 30 për qind; Kroacia - inflacioni 3.2 për qind, papunësia 17.2 për qind. Për disa nga këto vende, shifrat janë gjendur të tilla në disa burime. (Për Bosnjë-Hercegovinën, në faqen e internetit të Ministrisë së Ekonomisë dhe po ashtu në një botim të Dhomës së Tregtisë me Jashtë.) Tek ne, papunësia bie fjala, raportohet rreth 13.2 për qind(!) Është e vështirë të besohet kjo, kur fqinji ynë më i afërt, Maqedonia e ka këtë tregues 28 për qind, Bosnjë-Hercegovina 30 për qind dhe (ajo që të habit më shumë) Kroacia 17.2 për qind. Vështirë të thuash nëse në këtë tregues ne jemi më mirë apo jemi më pranë raportimesh fiktive. Ca më shumë pas ngjarjeve me trafiqe e demontime, raportet për punësimin dhe "punën", janë vënë seriozisht në diskutim. Është pranuar se në fillim të vitit 2006, numrit të subjekteve të regjistruara në organet tatimore, i janë shtuar rreth 25 mijë të tilla. Ndërkaq, askush nuk merr mundimin të shpjegojë, pse shumë nga përfaqësuesit e vështirë të biznesit e të sipërmarrjes së lirë i shumojnë në mënyrë të sforcuar ndërmarrjet e tyre. Përpara se të lindte halli i madh i Gërdecit, ka patur probleme të rënda ngecjeje në disa sektorë të ekonomisë, në bujqësi dhe në ndërtim, bie fjala; por atmosferën e trazuar e plot pikëpyetje, e mbulon kozmetika, që u cek disi simbolikisht në krye të këtyre radhëve.

Siç shihet, para së gjithash, problemi ynë i madh - më e pakta, një prej tyre - është kumtimi rreth së vërtetës. Jemi shprehur edhe herë të tjera se demagogjia na ka marrë në qafë disa herë; druajmë se do të na përcëllojë e ndëshkojë edhe më tej. Përpara disa ditësh, kryeministri Berisha pohoi me gojën e vet, dështimin e një sërë institucioneve të kësaj qeverisjeje. Kurse këto ditë, nga kancelaritë e Perëndimit dhe të Lindjes, gjithnjë në udhëtim e sipër, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha na ka rrëfyer se sa të ekzaltuar janë partnerët nga përparimet e mëdha të Shqipërisë, se si kjo na qenka një shembull për vendet e tjera, reformat e këtushme i kanë lënë pa gojë gjithë homologët dhe miqtë e tjerë të Shqipërisë(!) Ne të gjithë e dimë që na plasi bomba e madhe (e Gërdecit) për shkak se nuk ishte shteti; që s'kemi kthyer e kompensuar pronat; që kurrherë s'kemi zhvilluar zgjedhje plotësisht të lira e të ndershme dhe, aktualisht, Reforma Zgjedhore ka mbetur pezull; që reforma në drejtësi ende është në dinamikë; që standardet e shërbimit nëpër spitalet tona janë për faqe të zezë; që ministrat aleatë i kanë kthyer zyrat e administratës dhe institucionet e varura prej tyre, në strehë të militantëve, në përpjekje të dëshpëruara për të mbajtur në këmbë parti që s'janë veçse frymë të vdekura.

E megjithatë, ne "e meritojmë", siç thonë edhe vanitozët e shumicës, që nga Sali Berisha e Jozefina Topalli, deri tek Lulëzim Basha. Ashtu! "Palët" kanë nevojë të gënjehen nga pak. Kur themi palët, kemi parasysh nga njëra anë elektoratin e shushatur dhe nga ana tjetër politikën që nuk e humbet "toruan" asnjëherë; e kemi fjalën gjithashtu për partnerët që e mbyllin njërin sy e njërin vesh dhe për "koketat" e politikës shqiptare, që shumë shpejt do të kërkojnë "pjesën e lavdisë". Shkrimtari i njohur Graham Grin, në faqet e para të romanit "Komedianët", kërkon që diku anës rrugës të ngrihet një përmendore a bust për njërin nga personazhet e tij më të shtrenjtë, për aventurierin dhe mashtruesin e trishtë Xhons... Njeriu i pranon qyfyret dhe gënjeshtrat e vogla. Por assesi mungesën e qëllimshme të transparencës dhe mashtrimet e rënda, që edhe më tej mund të pengojnë seriozisht integrimin e vërtetë të vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›