KËNDVËSHTRIM MATURANTI
Kam qenë shumë-shumë e vogël, ndoshta dy-tri vjeç, teksa në xhamat e dritareve në dhomën tonë të vetme të banimit në qytetit "Studenti", përplaseshin britmat "Europë- Europë", "E duam Shqipërinë si Europa". Ishte një ritual pothuajse i përditshëm. Europa kërkohej nga studentë, nga pedagogë, nga punëtorë, nga intelektualë, nga minatorë, nga katundarë, nga të rinj, gra dhe vajza, të gjitha shtresat e popullsisë thërritnin në kor dhe në shestimin tim fëmijënor, kjo fjalë më turbullonte së brendshmi. Përse e kërkojnë kaq me ngulm? Ç'të jetë vallë kjo Europa? Ku gjendet? Sa e madhe apo e vogël është?
Dhe pavarësisht se pyesja, asnjëherë nuk merrja një përgjigje të plotë. Herë Europa më dukej si një lodër, si një send i ndritshëm që askush nga prindërit tanë nuk ishte në gjendje ta siguronte. Diku - diku më dukej si një planet tjetër ku duhej shumë mund e djersë për të mbërritur, dhe herë më ngjante se koka kuçedrash mbikëqyrnin këtë nimfë të bukur që s'mund të ishte kurrsesi në Tokë.
Kohë më pas, kur fillova të shkoja në cikle të ndryshme të shkollës, Europa më qartësohej si diçka më konkrete, një grumbull shtetesh që ndanin shumë gjëra së bashku. Ajo fillonte shumë afër nesh nga Greqia ose nga Italia e pastaj vijonte me shtete të tjerë, disa më të vegjël dhe disa më të mëdhenj, por njësoj të barabartë në standarde dhe vlera. Mësuesit tanë na thoshin se në Europë ka paqe, ka demokraci, ka qytetërim të kahershëm dhe të ri, ajo lakmohej brenda vetvetes dhe nga të tjerë, por sërish për ne mbetej diçka e huaj dhe e paarritshme.
Teksa mësoja anglisht, frëngjisht dhe italisht, më dukej sikur kisha hedhur vetë hapin e parë në kontinent. Bashkëmoshatarët e mi mësonin gjuhë europiane dhe, si unë, edhe ata bëheshin nga pak europianë.
Në klasën time shpesh bëjmë sondazhe shoqërore: "Kush e dëshiron Europën" dhe nuk ngrihet asnjë votë kundër. Ndoshta në vendin tim mund të numërohen me gishta kundër-europianët dhe kundër-atlantistët; Europa atlantike është në gjithçka e në çdo gjë. Nuk ka edhe një shqiptar të vetëm, qoftë edhe i pashkolluar, që të ketë shkuar diku në Azi apo në Afrikë, të gjithë në Europë dhe në SHBA.
Por, po aq sa afër është Europa për shqiptarët e thjeshtë, aq më të largët e kanë bërë politikanët tanë që, përpos pushtetit dhe këmbimit të maxhorancave disa herë në mënyrë të dhunshme, nuk kanë dashur as zgjedhje të ndershme, as institucione të konsoliduara, as pushtet gjyqësor të pavarur dhe asnjë nga shtyllat e tjera që mbajnë në këmbë një demokraci.
* Maturante në gjimnazin "Sami Frashëri", Tiranë, fituese e dy çmimeve të Esesë organizuar përkatësisht nga Misioni i Bankës Botërore në Tiranë dhe Ministria e Punës dhe e Shanseve të Barabarta