Festa e librit për fëmijë
Një ditë kushtuar tërësisht librit për fëmijë. Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, në bashkëpunim me Sektorin Shqiptar të IBBY-t organizojnë Ditën Ndërkombëtare të Librit për Fëmijë. Festimet për Ditën e Librit nisin nesër në mëngjes, kur Alket Islami do lëshojë mbi të gjitha shkollat e Tiranës, me mijëra kartolina me mesazhe që synojnë të afrojnë fëmijët me librin. Kartolina që janë dhe ftesa për të vegjlit, për të qenë pjesë e spektaklit përmbyllës të një fushate përzgjedhjeje, në Teatrin e Kukullave. Spektakli që pason në Teatrin e Kukullave mbledh fëmijët më të mirë interpretues të kryeqytetit, që ngjisin në skenë krijimet e përzgjedhura të poetëve të vegjël nga gjithë Shqipëria, me të ftuar shkrimtarë për fëmijë, përfaqësues të Trupit Diplomatik, të Komisionit Europian, të Këshillit të Europës, organizmave të huaj në Shqipëri, etj. Sipas specialistes pranë QKKF-së, Ardita Rrepishtit, aktiviteti i librit nis serinë e aktiviteteve kombëtare të QKKF dhe është i pari i organizimeve që përgatisin muajin kulturor Shqipëri-Kosovë. Ai do të pasohet nga një ekspozitë e njëkohshme në Tiranë e Prishtinë, e piktorëve të vegjël, me punime të frymëzuara nga Pavarësia e Kosovës. Veç kësaj, po gjatë muajit prill, QKKF realizon organizimin më të madh të përvitshëm, për të 46-tin vit me radhë, Festivalin e Këngës për Fëmijë, me përmasë mbarëkombëtare, me kompozitorët më të mirë të vendit, dhe fëmijë interpretues nga trojet shqipfolëse. Gjithashtu, gjatë prillit, QKKF do jetë pjesë e festimeve ndërkombëtare për ditën e fëmijëve në Turqi, me dy grupe të saj të balerinëve, në Stamboll e Antalia.