Shtohet trysnia ndaj Gaddafit
Kryengritësit libianë thonë se po përgatiten për një ofensivë të re kundër trupave të Muammer Gaddafit. Të njëjtit thonë se po planifikojnë të hynë në qytetin Gezaja, pranë kufirit më Tunizinë, në 48 orët e ardhshme.
Ndërkohë, Britania ka njohur zyrtarisht Këshillin Tranzitor të kryengritësve, si përfaqësues legjitim të Libisë.
Sekretari i Jashtëm britanik, William Hague, tha se Britania ka dëbuar të gjithë stafin e mbetur të ambasadës së Libisë në Londër, ndërsa ftoi kryengritësit t’i zëvendësojnë besnikët e Gaddafit.
Ky veprim zbaton vendimin e marrë gjatë takimit në Stamboll më 15 korrik, ku Shtetet e Bashkuara, Britania dhe 30 vende të tjera kanë njohur Këshillin Kombëtar të Tranzicionit si qeveri të vetme të Libisë.
Zëvendësministri i Jashtëm libian, Chalid Kaim, e dënoi hapin e Britanisë së Madhe për njohjen e Këshillit të Përkohshëm të kryengritësve, si përfaqësuesin legjitim të Libisë.
Kaim i tha kanalit BBC se vendimi është i papërgjegjshëm dhe ilegal.
Qeveria britanike gjithashtu do të përpiqet të lëvrojë për këshillin e përkohshëm paratë e pezulluara të regjimit të Gaddafit, theksoi Hague.