E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësimi, afro 5 mijë mësues në kryeqytet zënë radhën që në 5 të mëngjesit



Jonida Tashi

Dita e parë e shkollës i ka rikthyer “vuajtjet” afro 5 mijë arsimtarëve në kryeqytet, për t’u punësuar pa kontratë në arsim. Bëhet fjalë për mësuesit e dispozicionit, pjesa më e madhe e të cilëve, megjithëse kanë vite që janë diplomuar për mësuesi, nuk e kanë siguruar dot emërimin në arsim. Të gjithë këta arsimtarë, të rinj e të vjetër, janë drejtuar që në orët e parë të mëngjesit të djeshëm drejt Drejtorisë Arsimore Rajonale Tiranë (DART), me shpresën për të gjetur ndonjë orë të lirë mësimi. “Kam ardhur që në orën 7.00 të mëngjesit këtu, kishte edhe të tjerë që kishin ardhur përpara meje, për të gjetur ndonjë orë bosh, por deri tani s’ka”,- pohon njëra prej mësueseve që gjendej në radhë për punësim. Fati për t’u punësuar dje nga qindra mësues në pritje i ka buzëqeshur vetëm dy prej tyre, të cilat kanë qenë të parat në radhë.
Praktika
Praktika që ndiqet nga drejtoria arsimore për punësimin e mësuesve të dispozicionit bazohet në kohën që arsimtari ka kaluar në pritje dhe radhës që ai zë midis të tjerëve. Kjo do të thotë se kush prej mësuesve paraqitet më herët në drejtori dhe nuk është përfshirë rishtas në listën e arsimtarëve të dispozicionit ka më shumë shanse që të jap ndonjë orë mësimi për lëndën që ai është i specializuar. Në këtë pikë, shumë pak prej mësuesve që presin në radhë e kanë luksin që të bëjnë “naze” për të refuzuar orën apo orët që i ofrohen, pasi nevojat për mësues janë më të shumta në periferi të kryeqytetit. Por kujt nuk ia vret shumë këmbën “këpuca” edhe refuzon, dhe ora që ai lë, i bëhet rrësk një mësuesi tjetër. “Unë jam larg prej drejtorisë arsimore dhe vij pres me orë të tëra këtu, vetëm për të gjetur ndonjë orë të lirë. Jam e gatshme të shkoj kudo që të jetë shkolla. Marr një fugon dhe iki, vetëm që të marr ndonjë lekë se kam 8 vjet në dispozicion”,- shprehet e një arsimtare mesogrua, që ka shkuar dje për të zënë radhën në drejtori që në orën 7.00 të mëngjesit të kaluar, dhe megjithëse ka kaluar plot 4 orë në pritje sërish është e vendosur për të qëndruar aty.
Dyndja
Qindra mësues ishin dyndur dje drejt Drejtorisë Arsimore në Tiranë në korridoret e së cilës nuk merrje dot as frymë. Duke qenë se pjesa më e madhe e mësuesve të dispozicionit kanë vite që ndajnë të njëjtin fat me njëri-tjetrin tashmë ata ndahen në grupe të veçanta, për të qarë hallin që i bashkon çdo ditë. Fundi i këtij halli duket tepër i largët për këta mësues, pasi në shkollat e kryeqytetit të vetme vende të lira pune që dalin krijohen vetëm nëse ndonjë prej arsimtarëve të tyre plotëson moshën e daljes në pension. Por, specialistët e drejtorisë shpjegojnë se edhe këto rate janë të pakta, ndërsa kërkesat e të interesuarve për t’u punësuar në arsim vijnë gjithmonë e në rritje. Nga viti në vit, vetëm në Drejtorinë Arsimore të Tiranës shtohen rreth 1 mijë mësues të dispozicionit që presin të punësohen, apo të transferohen diku tjetër. Aktualisht në këtë drejtori figurojnë 5 mijë kërkesa për punësim, nga 4 mijë që kanë qenë një vit më parë. Midis mësuesve që iu është “regj” lëkura në pritje, gjen edhe mjaft të sapodiplomuar, të cilët e kanë shënuar rishtazi emrin në listën e gjatë të punëkërkuesve në arsim. Porsa i përket punësimit të këtyre të fundit, specialistët e drejtorisë shpjegojnë se megjithëse kërkesat e reja janë hedhur në regjistër, emërimi është ende larg. Sipas tyre, përpara emërimit, secili prej tyre duhet të qëndrojë disa kohë në dispozicion, proces ky që nuk ka një afat të përcaktuar kohor. Për rrjedhojë, shanset që këta mësues të rinj të punësohen gjatë këtij viti shkollor janë të pakta.

Shpërblim mujor për punonjësit mësimorë në arsimin parauniversitar

Qeveria ka përcaktuar shpërblimin mujor për punonjësit mësimorë në arsimin parauniversitar, që punojnë larg vendbanimit të tyre. Për këtë vit të ri shkollor, ky shpërblim do të jetë si më poshtë. Kur mësuesit punojnë brenda rrethit të tyre, por larg vendbanimit dhe kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, pagesa për rrugën do të jetë deri në 1500 lekë në muaj. Ndërsa në rastet kur mësuesit nuk kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, pagesa për rrugën do të jetë deri në 4357 lekë në muaj. Për punonjësit mësimorë që e kryejnë rrugën me transport të siguruar nga Drejtoritë Arsimore ose zyrat Arsimore (DRA/ZA), masa e shpërblimit mujor për largësi do të jetë e njëjtë sipas distancës në kilometra. Në rastet kur nuk mund të sigurohet transporti për mungesë infrastrukture, masa e shpërblimit do të përcaktohet në raport me largësinë dhe vështirësinë e rrugës. Ndërsa kur mësuesi ndryshon vendbanim me dëshirën e tij dhe vazhdon të punojë në të njëjtin vend pune, ai përfiton shpërblim për largësi vendbanimi vetëm kur DRA/ZA-të nuk kanë mundësi për zëvendësimin e tij. Për të bërë një ndarje të drejtë të këtyre pagesave, qeveria ka kërkuar nga pushteti vendor (kryeplaku dhe kryetari i komunës ose bashkisë) që çdo në fillim viti mësimor, të evidentohen punonjësit që punojnë larg vendbanimit të tyre nëpërmjet vërtetimeve të pushtetit vendor.

Orët shtesë, 300 lekë një orë në gjimnaz, 250 në 9-vjeçare

Punonjësit mësimorë efektivë, që për nevoja të procesit mësimorë, do të japin orë mësimi mbi normën e lejuar mësimore do të paguhen për çdo orë mësimore shtesë. Qeveria ka vendosur që në shkollat e mesme një orë mësimi shtesë të paguhet me 300 lekë, kurse në shkollat 9-vjeçare me 250 lekë. Me këto pagesa për çdo orë mësimore do të shpërblehen edhe punonjësit e jashtëm të specialiteteve të ndryshme, që japin mësim në shkollat e mesme, në shkollat teknike dhe profesionale si dhe në kurset e ndryshme (me përjashtim të kurseve, që ngrihen pranë shkollave të larta dhe institucioneve të tjera të kualifikimit të punonjësve mësimorë).

15 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›