Universiteti i Tiranës shpall konkurset për katër pedagog anglishteje
Universiteti i Tiranës shpall zyrtarisht konkurset për të punësuar katër pedagog anglishteje. Këta pedagogë nevojiten për të dhënë mësim në Departamentin e Gjuhës Angleze për filialet e Universitetit të Tiranës (UT). Përkatësisht dy pedagogë duhen për filialin e UT-së në qytetin e Sarandës dhe dy të tjerë për filialin e Kukësit. Kandidati për vendet e punës për personel akademik në Departamentin e Gjuhës Angleze për filialin e UT-së në qytetin e Sarandës dhe për filialin e UT-së në qytetin e Kukësit, duhet të plotësojë këto kritere të përgjithshme: Të jetë diplomuar në Universitetin e Tiranës ose në ndonjë universitet brenda vendit apo të huaj në fushën e studimit për gjuhën angleze; Të ketë diplomën “Master të nivelit të dytë” ose diplomë universitare të integruar të nivelit të dytë me mesatare të lartë; Të njohë me dëshmi një gjuhë të dytë të huaj perëndimore; Të jetë me vendbanim në rrethin përkatës; Të mos jetë i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata. Kandidati për këto vende pune duhet të plotësojë këto kritere preferenciale: Preferohet të jetë me gradë ose me titull shkencor; Preferohet të ketë përvojë në mësimdhënie në shkollat e larta; Preferohet të ketë aktivitet botues; Preferohet të ketë aftësi shumë të mira komunikimi.
Dokumentet që duhen dorëzuar
Kandidatët duhet të dorëzojnë pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore të Rektoratit të Universitetit të Tiranës, këto dokumente:
Kërkesë me shkrim
CV
Kopje të diplomës universitare (e noteruar). Për diplomat e marra në universitetet e huaja, duhet të dorëzohet fotokopje e noteruar e certifikatës së njohjes nga organi kompetent
Lista e notave (fotokopje e noteruar)
Dëshmi të kualifikimeve pasuniversitare ose të gradave dhe titujve shkencor (fotokopje e noteruar)
Dëshmi të pjesëmarrjes në konferenca, seminare, etj.
Dëshmi të njohjes të një gjuhe të dytë të huaj perëndimore (të noteruar)
Dëshmi penaliteti
Kopje të botimeve të artikujve, teksteve, revistave etj.
Dy rekomandime nga pedagogët e departamentit ku ka kryer studimet
Dokumentet pranohen nga data 14.09.2009-28.10.2009
15 Shtator 2009