E Diel, 1 Nëntor 2026

Vendi ynë e nis “shkollën” me 6 mijë fëmijë analfabetë

650 mijë nxënës kanë nisur dje ditën e parë të shkollës

Vendi ynë e ka nisur më 6 mijë fëmijë analfabetë ditën e parë të shkollës. Ndërsa 650 mijë nxënës i janë drejtuar dje dyerve të shkollave përkatëse, 6 mijë bashkëmoshatarët e tyre i janë drejtuar rrugës për të nxjerrë bukën e gojës. Sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Arsimit, në vendin tonë janë të paktën 6 mijë të vegjël, që këtë vit nuk kanë mundur të shkojnë në shkollë. Megjithë dëshirën për të mësuar, shumë prej këtyre fëmijëve janë të detyruar që bankat e shkollës t’i zëvendësojnë me rrugët, pasi kjo është e vetmja zgjidhje për të punuar, për të mbajtur gjallë familjen. Madje jo vetëm kaq, por tashmë këta fëmijë mund t’i quash edhe kryefamiljarë, për të ardhurat që i sjellin familjes, ndërkohë që pjesëtarët e tjerë të saj nuk punojnë.
Rastet
Konkretisht një djalë 6-vjeçar, që është vetëm njëri prej 6 mijë analfabetëve tregon se i pëlqen shkolla, por varfëria e detyron të punojë në rrugë në vend që të ulet me bashkëmoshatarët e tij në bankat e dijes. Vogëlushi 6-vjeçar tregon me naivitetin e moshës se e kalon kohën duke mbledhur kanoçe rrugëve ose në kazanët e plehrave, pasi për të kjo është e vetmja zgjidhje që ai dhe dy vëllezërit e tij të mos flenë gjumë me barkun bosh. Por 6-vjeçari kryeqytetas nuk është i vetmi rast që ka lënë shkollën për t’u bërë zot i familjes. Midis analfabetëve të sotëm, që nesër do të jenë “barra” e shoqërisë shqiptare gjen edhe më të vuajtur se vogëlushi 6-vjeçar, të cilët përveç mungesës së dijes, nuk kanë as prindërit. Në një situatë të tillë gjendet një fëmijë 13-vjeçar në vendin tonë, Beni. Pas braktisjes nga prindërit, Beni së bashku me të vëllanë janë detyruar të lënë edhe shkollën në klasën e pestë dhe të qëndrojnë në rrugë për të nxjerrë bukën e gojës.
Fenomeni
Por, jo shumë larg dy rasteve të mësipërme janë gjendur në ditën e parë të shkollës edhe qindra familje në vend që jetojnë me përkrahje sociale. Kryefamiljarët e këtyre familjeve nuk kanë pasur mundësi financiare që t’u blejnë libra, fletore dhe çanta fëmijëve të tyre. Për këtë arsye, shumë prej këtyre fëmijëve nuk e kanë përjetuar dot dje gëzimin e ditës së parë të shkollës. Përballë kësaj panorame, shifra e deklaruar nga Ministria e Arsimit se janë rreth 6 mijë fëmijë që këtë vit nuk kanë shkuar në shkollë shkolle tregon vetëm majën e ajsbergut të fenomenit të braktisjes së institucioneve të arsimit të detyruar, pasi në vend janë me mijëra fëmijë të tjerë që nuk rezultojnë as të regjistruar.

Dita e parë e shkollës, vijojnë problemet me tekstet e godinat

Zilja e shkollës ka tingëlluar në orën 8.00 të mëngjesit të djeshëm për 650 mijë nxënës në të gjithë vendin, duke lajmëruar kështu nisjen e fillimit të vitit të ri shkollor 2009-2010. Por, pas gëzimit që kanë ndjerë dje 50 mijë vogëlushë, të cilët u ulën për herë të parë në bankat e shkollës, fshihen edhe problemet, të cilat duket se nuk do të mungojnë edhe këtë vit shkollor. Problemi i parë që nuk u evitua as këtë vit në ditën e parë të shkollës ishte mungesa e teksteve mësimore, që nuk gjenden ende në librari. Ndonëse nga ana e Ministrisë së Arsimit është udhëzuar shpërndarja e tyre që në datën 1 gusht, duket se shtëpitë botuese nuk kanë zbatuar urdhrin për dërgimin sa më parë pranë librarive të titujve që shtypin. Problemi i dytë, që për nga impakti është edhe më kritik se i pari është mosgjetja e godinave shkollore për nxënësit që nuk iu hapën shkollat. Edhe këtë vit shkollor, shumë shkolla 9-vjeçare e të mesme s’do të jenë gati për të pritur nxënësit e tyre, kjo pasi disa janë mbyllur me vendim të drejtorive të shëndetit publik për shkak të kushteve hijeno-sanitare, e disa të tjera si pasojë e nisjes së rikonstruksionit. Megjithëse risitë e këtij viti shkollor duket se nuk kanë të sosur, këto nuk i mbulojnë dot problemet e vitit të ri mësimor. Për herë të parë, këtë vit do të funksionojnë 50 klasa të reja përgatitore për fëmijët 5-6 vjeçar, në shkollat e ciklit të ulët, që synojnë të përgatisin fëmijët për në klasën e parë. Po ashtu, këtë vit shkollor, nxënësit e klasës së VI, përveç gjuhës së huaj të parë të detyruar, do të kenë mundësi të mësojnë edhe një gjuhë të huaj të dytë fakultative (jo me detyrim). Edhe gjimnazi është përfshirë nga një risi këtë vit të ri shkollor. Gjimnazet do të zbatojnë dokumente të reja shkollore si: planet e reja mësimore, korniza e re kurrikulare e gjimnazit, programet dhe standardet lëndore si dhe udhëzuesit lëndorë. Për vitin shkollor 2009-2010 janë përfshirë në procesin mësimor tekste të shtëpive të huaja botuese për lëndët: Fizikë, Kimi, Biologji dhe Shkencat e tokës.

Urimet e politikanëve për ditën e parë të shkollës

Presidenti Topi: “Kjo është një ditë shumë motivuese për të gjithë”

Presidenti i vendit, Bamir Topi i ka uruar nxënësve hapjen e vitit të ri shkollor nga shkolla 9-vjeçare në kryeqytet “Servete Maçi”. Kreu i shtetit shqiptar, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, Teuta Topi e bëri këtë urim duke u rikthyer në shkollën “Servete Maçi”, ku ka kryer arsimin e tij fillor. “Kjo ditë është jo vetëm simbolike, por është shumë motivuese, për të gjithë ne që festojmë së bashku fillimin e mbarë të vitit të ri shkollor 2009-2010”,- ka thënë Topi.

Kryeministri Berisha: “Shkolla ka rëndësi vendimtare për të ardhmen e fëmijëve”

Kryeministri Sali Berisha ua ka dhënë urimet për ditën e tyre të parë të shkollës nxënësve nga shkolla e mesme profesionale “26 Marsi” në Kavajë. Kjo pasi, dje ishte edhe dita e përurimit të godinës së re të kësaj shkolle, me të gjitha kushtet bashkëkohore të mësimdhënies, realizuar me një investim prej 83 milion lekësh të qeverisë. Në fjalën e tij, Berisha theksoi se “shkolla dhe shkollimi kanë rëndësi vendimtare për të ardhmen e fëmijëve dhe të vendit”.

Ministri i Arsimit: “Arsimi është pararoja e integrimit të vendit në BE”

Edhe ministri i Arsimit, Fatos Beja, ua ka dërguar urimin e ditës së parë të shkollës nxënësve nga jashtë kryeqytetit. Beja, i cili shoqëronte dje kryeministrin në Kavajë, u shpreh se “arsimi është pararoja e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”. Sipas Bejës, mbi gjysmë milionë nxënës do të navigojnë në internet në 2000 shkolla, të mëdha e të vogla, në qytet e në fshat; me dhjetëra mijë do të ulen në banka të reja, do të mësojnë në shkolla të reja e të rinovuara.

Jozefina Topalli: “Influenca e mësuesve ka rrezen më të gjatë të ndikimit”.

Kryetarja e Kuvendit ndau dje gëzimin dhe emocionet e ditës së parë të shkollës më nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Misto Mame”, në Tiranë. Duke takuar e përshëndetur nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle ajo e cilësoi këtë ditë si më të rëndësishmen, në jetën e një të riu. Në fjalën e saj Topalli është shprehur: “Mësuesi ka rrezen më të gjatë të ndikimit dhe influencës në jetën e një njeriu, ndikim i cili asnjëri prej nesh nuk e di kur mbaron.

Ledi Shamku: “Sot është ‘Dita e Arsyes’, PS uron nxënësit”

Deputetja Ledi Shamku i ka uruar dje nxënësit në emër të Partisë Socialiste. “Sot është dita e parë e shkollës për afro 650 mijë fëmijë dhe për thuajse 40 mijë kujdestarë të dritës së dijes. Sot është Dita e Arsyes!”,- ka deklaruar Shamku në urimin e saj. Sipas saj, Partia Socialiste uron dhe i jep zemër gjithkujt që sot i rikthehet mundit për ta fuqizuar arsyen dhe dijen.

LSI: “Gjatë këtij 4-vjeçari do të punojmë me intensitet”

Urimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim nxënësve ua ka përcjellë zëvendëssekretari i Përgjithshëm i saj, Besjan Pesha. Në emër të kësaj partie, Pesha ka uruar të gjithë të rinjtë dhe të rejat shqiptarë që janë ulur dje në bankat e shkollës. “Dua sot të siguroj edhe njëherë të gjithë të rinjtë shqiptarë dhe familjet e tyre se gjatë këtij katërvjeçari, LSI-ja do të punojë me intensitet për të garantuar një proces mësimor sa më efektiv.

15 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›