E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punësimi, asnjë ofertë nga shteti

Si e vetmja zyrë shtetërore ku mund të aplikosh për të gjetur punë, Zyra e Punësimit nuk merr asnjë ofertë punësimi nga administrata shtetërore apo institucione të tjera publike. Të gjitha ofertat që i drejtohen kësaj zyre vijnë nga subjekte private. Këto të fundit së bashku me ofertat japin edhe kriteret që duhet të përmbushë secili kandidat për t’u pranuar në punë.

Oferta

Majlinda Dashi, specialiste në Zyrën e Punësimit në Tiranë, tregon për “standard” se të gjitha ofertat për punësim vijnë nga subjekte private. Ku së bashku me ofertën këta të fundit sjellin edhe paketën me kritere që duhet të plotësojë secili kandidat.

“Shteti nuk ofron asnjë ofertë, ofertat më të shumta i kemi nga privati. Por në fakt duhet theksuar se ata i vënë vetë kriteret për personat që kërkojnë. Përgjithësisht subjektet private sjellin oferta pune cilësore, por mungojnë individët”, - shprehet specialistja e Zyrës së Punës, Dashi. Sipas saj, roli i kësaj zyre është kryesisht këshillim dhe ndërmjetësim për personat që janë të papunë dhe se nuk mund të ndërhyjnë në kriteret që vendosin subjektet private, pasi në fund të fundit ofertat i bëjnë ata. Fillimisht kur një person i drejtohet kësaj zyre duhet të regjistrohet dhe që të quhet i papunë, duhet të kesh 1 muaj që je i regjistruar. Më pas duhet të shkosh pranë Zyrës së Punësimit 1 herë në 3 muaj për të konfirmuar se je sërish i tillë, në të kundërt zyra të çregjistron. Pas regjistrimit plotësohet një formular, i cili më së shumti ka një rol formal, pasi kriteret janë të vendosura tashmë nga subjekti privat. Personat që plotësojnë formularin mbesin në pritje deri sa oferta që privatët i kanë dhënë Zyrës së Punësimit të përputhet me kriteret që ata kanë vendosur.

Kriteret

Nuk është aspak habi që numri i të papunëve të jetë akoma në shifra të larta. Vetëm para pak ditësh Banka e Shqipërisë njoftoi se në fund të tremujorit të parë të këtij viti, papunësia ka arritur në 13 për qind. Por ekspertët mendojnë se jo të gjithë faktorët janë përllogaritur në këtë statistikë, çka bën të besosh se papunësia në vendin tonë është më e lartë. Papunësia vazhdon të mbetet ende një ndër problemet më shqetësuese të shoqërisë sonë. Ndërkohë që edhe subjektet që ofrojnë punësim të papunëve vendosin kritere sipas dëshirave dhe nevojave të tyre.

Përgjithësisht për kandidatet femra, duhet të kenë përfunduar arsimin e mesëm, të jenë 20-35 vjeç, të komunikueshme dhe të paraqitshme. Ndërsa për kandidatët meshkuj duhet të jenë 25-40 vjeç, të zotërojnë një ose dy gjuhë, e preferueshme anglisht, italisht, të jenë të komunikueshëm dhe të paraqitshëm.

Tregu

Kategoria e cila duket se dita-ditës po del jashtë tregut të punës dhe gjithnjë e më shumë po humbet mundësinë, si për t’u integruar në shoqëri, ashtu edhe për t’u punësuar janë mosha mbi 45 vjeç. Ashtu siç edhe çohen ofertat që i drejtohen Zyrës së Punës, janë mjaft të qarta në kriteret që duhet të plotësojë kandidati punëkërkues. Ashtu sikurse subjektet private janë ato që japin oferta, ato kanë të drejtën që të marrin edhe personat që dëshirojnë.

E kundërta ndodh me studentët. Mbase jo në profilin në të cilin kanë përfunduar shkollën, por gjithsesi kanë arritur që të jenë pjesë e tregut dhe në një punë deri diku fitimprurëse. Sipas specialistes Dashi, “kategoria e studentëve që mbarojnë studimet e larta kanë arritur të hyjnë në treg. Tashmë studentët janë në treg”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›