Punësimi, bërthama e programit të PD-së

Kryeministri Sali Berisha ka bashkëbiseduar me akademikë dhe përfaqësues të agjencive të punësimit projektin e tij për rritjen e vendeve të punës përmes reformimit të sistemit të shërbimeve të punësimit, de-rregullimin e tregut të punës, heqjen e kufizimit për punën me kohë të pjesshme, përsëritjen automatike të kontratës për moshat mbi 52 vjeç, financimin e fillimit të një biznesi të vogël dhe krijimin e vendeve të reja të punës nëpërmjet reduktimit të taksave
Kryeministri Sali Berisha bashkëbisedoi dje iniciativat në lidhje me tregun e punës, me përfaqësues të agjencive të punësimit, kryetarë të qarqeve, të cilët kanë aplikuar disa instrumente të rinj për aktivizimin e tregut të punës, përfaqësues të Organizatës Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe akademikë. Reformimi i tregut të punës synon rritjen eficencës për shërbimet e punësimit dhe përshtatjen e pagesave të papunësisë, për t’i kthyer në nxitës për punësimin. Bashkëbisedimi u ndërtua mbi diskutimin e përshtatjes së modelit Hartz në Shqipëri.
Ky model konsiston në reformimin e sistemit të shërbimeve të punësimit, krijimin e qendrave one-stop-shop, de-rregullimin e tregut të punës, heqjen e kufizimit për punën me kohë të pjesshme, përsëritjen automatike të kontratës për moshat mbi 52 vjeç, financimin e fillimit të një biznesi të vogël (Kompania “Ime”), krijimin e vendeve të reja të punës (minijob dhe midijob) nëpërmjet reduktimit të taksave.
“Në kulmin e krizës patën rritje dhe nuk ramë në recension dhe kjo falë reformave që ndikuan në lirinë e tregut, nxitën rritjen dhe investimet e huaja. Në 4 vitet e fundit investimet private të huaja e publike janë 12 miliard dollarë, të konvertuara në 200 mijë vende pune”, vuri në dukje Berisha.
Por sipas tij, përmes reformës së punësimit qeveria synon që të vendosë një qëndrim sa më aktiv, me qëllim që punësimi të sillet në epiqendër të veprimtarisë sonë punësimin. Njëkohësisht, synohet që të përdoren ndihmat e nevojshme për papunësinë dhe ndihmën ekonomike.
“Jemi të vendosur të bëjmë gjithçka për të sjellë në epiqendër tregun e punës dhe reformave të tij. Unë ju garantoj se kemi shumë elementë me të cilat mund të bëjmë lëvizje të fuqishme, të dinamizojmë, ta bëjmë shumë më interaktiv bashkëveprimin mes agjencive tona dhe të papunëve. Kualifikimin dhe rikualifikimin e krahut të punës. Të vendosur të marrim çdo masë për të fuqizuar agjencitë që të përmbushin misionin e tyre. Të vendosur të bashkëpunojmë me agjencitë private të punësimit. Objektivi ynë është si të ulim koston për njësi pune. Do aktivizojmë agjentët e punësimit”, deklaroi Berisha.
Ju zoti Kryeministër, e vutë theksin te tregu i punës. Do të thosha që nuk ka treg pune pa sistem arsimor. Sistemi arsimor duhet të orientohet drejt tregut të punës dhe këtë e dëgjojmë shpesh...
Kjo që ju thoni bëhet edhe më e rëndësishme, për faktin se duke ecur drejt statusit të vendit anëtar në Bashkimin Europian dhe hapur negociatat, një nga detyrimet dhe privilegjet është hapja totale e tregut të punës. Ligji i ri i punës që po përgatisim e do miratojmë parashikon hapjen e tregut shqiptar të punës ndaj tregut të vendeve të hapësirës europiane, sepse ata e kanë këtë normë, me kuota të caktuara. Ndaj, kjo është e dyfishtë. Dua të them gjithashtu se numri i programeve sot në universitete është shumë i madh, rreth 530 programe. Sesa këto programe përshtaten me nevojat e tregut, kjo është absolutisht e domosdoshme për t’u studiuar e shqyrtuar. Por bota akademike ka bërë përpjekje shumë të mëdha të krijojë e të ketë një shumësi programesh, me idenë më të mirë që t’i përshtaten tregut.
Zoti Kryeministër, është momenti që lidhur me iniciativat për tregun e punës, të ishte e mundur të shikohet mundësia e organizimit të agjencive rajonale të zhvillimit, që do të ndihmonte edhe iniciativën e lirë edhe në tregun e punës. Në disa vende europiane ato po riorganizohen, disa nga funksionet e tyre po ndryshohen në disa vende. Ne mund t’i referohemi agjencive tipike që janë standarde...
Qarqet nuk kanë asnjë pengesë për krijimin e agjencive të zhvillimit dhe është tërësisht në autoritetin tyre, krijimi i agjencive të tilla dhe studimi i perspektivave të zhvillimit, në bashkëpunim me universitetet rajonale që do të kenë si qëllim kryesor kontributin në rajon. Një gjë është e sigurt se agjencitë rajonale të punësimit janë aktualisht agjencitë më të varfra në staf dhe nëse ka një sektor në Shqipëri që duhet të fuqizohet në staf, janë këto agjenci. Raporti agjent me të papunë është 1 me 50, këtu është tre-katërfish. Në këtë kontekst, qeveria do të marrë çdo masë, në mënyrë që këto agjenci të kenë numrin e punonjësve dhe shkallën e duhur të kualifikimit të tyre, për t’iu përgjigjur numrit të caktuar të të papunëve, për të cilët ata janë të ngarkuar të punojnë në mënyrë të pandërprerë për trajnimin, punësimin e të tjera probleme.
Kisha një pyetje për sa i përket reformës së Hartz se sa mund të ndihmojë kjo në studentë dhe në personat që kanë aftësi të kufizuar, se sa mundet të thjeshtojë jetën dhe punësimin e tyre...?
Kryeministri Berisha: Në fakt, koncepti është shumë i favorshëm, nuk është se këtu nuk ka element të fuqishëm të këtij koncepti, por koncepti është, mbështet minipunën, paguajnë sigurimet shoqërore minipunë. Unë dje isha me investitorët e huaj dhe njëri prej tyre më tha, duke marrë si shembull konkret studentët: “mirë ne po ju paguajmë sigurimet shoqërore, por të bëhet një lehtësim.” Por sigurimet shoqërore do i paguajnë zyrat e punës. Kjo reformë kërkon që zyrat e punës të klasifikojnë të papunët e tyre, në 4 kategori, në lehtësisht të punësueshëm dhe deri në kategorinë e katërt që është vështirësisht të punësueshëm dhe duke i trajtuar sipas kategorive edhe eficenca rritet më shumë. Kjo është një reformë që për fat të mirë, sot kemi një bazë solide për zbatimin e saj. Ata kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për të garantuar transparencën e menaxhimit të zyrave të punës, sepse e kishte pushteti lokal dhe këta e kaluan në sistemin federal. Qeveria federale mori përsipër të gjithë përgjegjësitë dhe bëri mirë. Në se do të lexoni ka filluar në 2001 dhe në 10 vjetorin e saj është studiuar nga të gjithë studiuesit, dhe është konkluduar se në tërësinë e vet procedohet me sukses. Ne kemi dhe kuadrin ligjor që na e bën të mundur tërësisht, por ka ende shumë punë për të bërë. P.sh, ndërmarrja është e detyruar t’i paguajë punëtorit në mos gabohem 15 orë kualifikim në javë. Sigurisht ndërmarrja këtë detyrim e ka shpenzim të zbritshëm, s’mund ta ketë ndryshe. A do jemi ne në gjendje ta instalojmë këtë vit apo vitin tjetër? Jo, por në pritje të efektit të reformave që instaluam ne, të heqjes së taksës mbi kapitalin, në pritje të heqjes së tatimit mbi të ardhurat rrogave nën 300 mijë lekë, punësimit të të rinjve, etj, pra të një serie masash që ne kemi marrë, ne besojmë se ekonomia shqiptare do të ketë një rritje më të madhe.