E Diel, 1 Nëntor 2026

Konventa “Për më shumë vende pune dhe Paga më të larta”

30-03-2013 / Gazeta 55

PD prezanton sot platformën e punësimit për katër vitet e ardhshme

Punësimi do të jetë kryefjalë e Konventës së Partisë Demokratike sot pasdite në Pallatin e Kongreseve, ku do të shpalosen projektet e mazhorancës për katër vitet e ardhshme. Konventa vjen në një moment kulmor, pas bashkëbisedimeve të kryeministrit Sali Berisha me qytetarë, studentë dhe të rinj, fermerë, përfaqësues të biznesit, operatorë turistikë, ekspertë të ekonomisë dhe së fundi, vetëm dy ditë më parë, me investitorë të huaj në Shqipëri.
Në të gjithë turin e bashkëbisedimeve, kryeministri ka shpalosur platformën e mazhorancës që para sheh katër vitet e ardhshme, vitet e 250 mijë vendeve të reja të punës. Dhe kjo, jo thjesht një premtim elektoral, por rezultat i mirëfilltë i analizave dhe përplasjes së ideve me palët e interesuara. Qytetarët kanë shprehur opinionin e tyre rreth nxitjes së punësimit, fermerët kanë kërkuar lehtësira fiskale për të bërë të mundur rritjen e prodhimit dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës.
Rezultat i këtyre bashkëbisedimeve të hapura janë sot heqja e tatimit 10 për qind për pagat nën 30 mijë lekë; heqja e TVSH-së së importit për lëndët e para bujqësore si dhe një ndër nisma më të guximshme të qeverisë dhe me impakt të drejtpërdrejtë në krijimin e vendeve të reja të punës, është paketa që parashikon lehtësi fiskale për bizneset që punësojnë të rinj, ku qeveria do marrë përsipër të paguajë siguracionet dhe taksat për çdo të ri të punësuar, përgjatë 3 viteve.
Paketa e re fiskale e qeverisë, përveçse një ndihmë e madhe për biznesin, sipas ekspertëve të ekonomisë çon drejt orientimit të rritjes së të ardhurave për qytetarët, edhe pse efekti financiar në buxhetin e shtetit pritet të arrijë shifrën e 200 milionë eurove. Gjithsesi, në fokusin e qeverisë janë kontot e qytetarëve dhe të biznesit sesa ato të shtetit. Ndaj, e gjithë vëmendja është e përqendruar drejt përmirësimit të mëtejshëm të klimës së biznesit dhe për këtë një faktor vendimtar dhe pozitiv është taksa e sheshtë 10 për qind. Vetë kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në takimet e hapura me qytetarët se, qeveria do institojë për rritjen e biznesit të vogël dhe me masat e marra së fundi, gjallërimi i tij është i pashmangshëm, pasi drejtimi i një biznesi të vogël është më pak i kushtueshëm sot, pasi paguhet gjysma e taksave dhe kontributi i punëdhënësve për sigurimet shoqërore është gjithashtu përgjysmuar. Nisma të reja si heqja e TVSH-së për makineritë dhe pajisjet, heqja e taksave mbi të ardhurat personale për pagat deri në 30 mijë lekë në muaj, si dhe heqja e çdo takse për tre vjet, për çdo të ri të punësuar e bëjnë më të lehtë për biznesin e vogël që të krijojë më shumë vende pune dhe paga më të larta.
“Po krijojmë një klime më të mirë për biznesin në Shqipëri për të gjetur dhe zhvilluar mundësi për të gjithë shqiptarët. Taksat e ulëta dhe taksa e sheshtë bëjnë që kapitali të shfrytëzohet me eficencë në ekonomi, për sipërmarrësit investues dhe punëdhënësit. Kjo e gërshetuar me reduktimin e burokracisë duke thjeshtuar procedurat dhe vendosur kufij kohore për lejet, licencat, autorizimet dhe regjistrimet, për t’i lejuar bizneset dhe sipërmarrësit të rrisin ekonominë tonë. Sot, numri i bizneseve të vogla është rritur më shumë se 50 për qind që nga viti 2005, dhe numri i bizneseve të mesme është rritur me 150 për qind. Banka Botërore e ka nxjerrë në pah Shqipërinë, si histori suksesi përgjatë krizës ekonomike globale, veçanërisht për klimën e favorshme për biznesin.
Ne duhet ta vazhdojmë progresin që kemi bërë. Do të vazhdojmë të reduktojmë barrën e taksave dhe kostove të tjera për biznesin, do të heqim TVSH-në për të gjithë makineritë e rënda dhe pajisjet për prodhimin, dhe do të eliminojmë shumë autorizime për të thjeshtuar rritjen e biznesit”, deklaruar kryeministri në takimet e hapura me qytetarë, ekspertë të ekonomisë dhe përfaqësues të biznesit.
Sot konventa e PD formalizon programin për punësimin dhe i çel rrugë jetësimit të projekteve gjatë katër viteve të ardhshme qeverisëse.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›