E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësimi legal i infermierëve në Itali, kushtet e plota për aplikim



Jonida Tashi

Ministria e Punës ka përcaktuar kriteret që duhet të plotësojnë infermierët profesionistë shqiptarë për punësimin e ligjshëm në Itali. Ndërkohë që parakushti kryesor për të përfituar një punësim të tillë është njohja e titullit përkatës të studimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe regjistrimi i tij në Librin e Profesionit. Për pasojë, infermierëve që nuk i’u është njohur titulli i studimit nga Ministria e Shëndetësisë, nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga oferta e shtetit italian për punësimin e tyre në këtë shtet. Punësimi legal i infermierëve profesionistë shqiptarë që kërkojnë të punojnë në Itali, nuk rregullohet në suazën e kuotave vjetore, por si kategori që bën pjesë në të ashtuquajturat “jashtë kuotave”, si infermierë që punësohen pranë strukturave sanitare publike dhe private, që kanë një titull studimesh të njohur nga Ministria e Shëndetësisë.
Titulli
Drejtoria e Politikave Migratore në Ministrinë e Punës, bën të ditur, se procedura për njohjen e titullit duhet të aktivizohet nga punëdhënësi i interesuar për punësimin nga jashtë ose direkt prej të interesuarit, në rastin kur ka një lejeqëndrimi të rregullt në Itali, e kjo në bazë të curriculum-it të studimeve. Pra nuk është e mjaftueshme thjesht vetëm diploma që duhet të përkthehet e të legalizohet pranë përfaqësisë konsullore italiane në vendin e origjinës, por edhe programi i studimeve të çdo lënde, për çdo vit studimi. Në vijim të njohjes së titullit të studimit e hyrjes në Itali, me dhënien e lejeqëndrimit përkatës, kjo praktikë mbyllet me rregjistrimin në Librin profesional, me njohjen e gjuhës italiane e të dispozitave speciale për ushtrimin e profesionit në Itali. Ndërsa miratimi për punësim, kërkohet pranë Sportelit Unik për Imigrimin, përmes plotësimit të modulit dhe dërgimit telematik nga ana e punëdhënësit. Subjektet që mund të punësojnë janë: struktura sanitare (publike/private), agjenci të ofrimit të fuqisë punëtore apo shoqëri të formës së kooperativave.
Dokumentacioni
Lidhur për dokumentacionin që nevojitet për vizë, Drejtoria e Politikave Migratore sqaron se viza lëshohet përmes miratimit (“Nulla Osta”) për punë të lëshuar, sipas kërkesës së punëdhënësit. I huaji (në këtë rast shqiptari), brenda tetë ditëve nga hyrja në Itali, duhet të paraqitet tek Sporteli Unik për të nënshkruar kontratën e qëndrimit, duke paraqitur edhe dokumentet e një strehimi të përshtatshëm dhe dokumentacion që provon disponibilitetin e këtij strehimi. Për të ushtruar profesionin, infermieri i huaj duhet të kërkojë regjistrimin në kolegjin provincial të vendit të punës, apo të banimit. Ministria e Punës sqaron gjithashtu, se parakushti i domosdoshëm që do të mundësojë autorizimin e hyrjes nga jashtë dhe për ushtrimin e ligjshëm të profesionit të infermierit profesionist në Itali është njohja e titullit përkatës të studimit nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe regjistrimi pasues në Librin e Profesionit përmes verifikimit, nën kujdesin e urdhërit kompetent profesional të njohjes së gjuhës italiane dhe të dispozitave speciale, që rregullojnë ushtrimin profesional në Itali.

Afati i qëndrimit për punësim në Itali

Siç është e njohur, strukturat sanitare publike e private në Itali vuajnë prej kohësh mungesën konstante të personelit infermieristik, për faktin se oferta “e brendshme” e tregut italian të punës nuk përmbush, prej kohësh, nevojat. Për këtë motiv, ligji nr.189/02 (ligji Bossi Fini) ka modifikuar ligjin mbi emigracionin, duke e futur këtë kategori punëtorësh në tipologjitë e ndryshme të hyrjes, që kanë si karakteristikë që të mos i nënshtrohen dekretit të flukseve migratore. Me fjalë të tjera, infermierët profesionalë, që do të punësohen pranë strukturave sanitare publike ose private nuk përfshihen në sistemin e kuotave dhe për rrjedhojë nuk ekzistojnë limite numerike. Një tjetër karakteristikë e këtyre tipologjive të hyrjes për punë është një lejeqëndrimi që vlen vetëm për këtë kontratë specifike pune, e cila ka mundësuar autorizimin e hyrjes e nuk lejon ndryshimin e punëdhënësit, gjë e cila mund të krijoj, ashtu siç ka ndodhur, forma të favorshme të kërcënimeve dhe të abuzimeve. Gjithashtu, edhe pse lidhur me këtë aspekt asistohet në një praktikë dis homogjene nga njëra zyrë në tjetrën, autorizimi i qëndrimit nuk mund të kaloj 2 vjet. Me skadimin e tij kërkohet zgjatja e autorizimit, e cila kërkon një procedurë të posaçme të hyrjes së nevojshme për një periudhë kohe në atdhe, pra nevojën e marrjes së një autorizimi të ri, që duhet të kërkohet pranë autoriteteve konsullore italiane, një vizë e re hyrjeje.

20 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›