Shpërthim me tritol në vendrojën e Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë
FUSHË-KRUJË – Një sasi tritoli është vënë në vendin e rojës së Fabrikës së Çimentos së Fushë-Krujës, duke shkaktuar dëme materiale. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se “rreth orës 02.30, të ditë së shtunë, në fabrikën e re të çimentos, në Fushë-Krujë, persona të paidentifikuar kanë hedhur një sasi të vogël lëndë eksplozive në një nga vendrojat e ruajtjes së fabrikës”. Sipas tyre, nuk ka pasur të lënduar, por vetëm dëme materiale. Fatmirësisht, në vendroje nuk ndodhej për momentin njeri, duke shmangur ndonjë vdekje të mundshme. Gjithsesi, dëme materiale u regjistruan duke shkatërruar plotësisht vendrojën dhe përfshirë në shpërthim edhe mjedise të tjera përreth. Në vendngjarje ka shkuar policia, e cila bëri shoqërimin e rojës së objektit, duke marrë dëshminë e plotë për ngjarjen. Hetimet po zhvillohen në dy pista; ato të një atentati ndaj personit që ishte në shërbimin e natës, dhe, dhe së dyti, të një atentati të mundshëm për të dëmtuar Fabrikën e Çimentos. Nga hetimet e para del se është përdorur vetëm një sasi e vogël lënde eksplozive, por nuk konfirmohet lloji i saj. Policia tha se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Në zonën e Fushë-Krujës, por edhe në rrethet e Kurbinit, Mirditës dhe Lezhës kanë ndodhur disa shpërthime me tritol gjatë muajve të fundit, por kanë qenë të pakta rastet kur policia ka zbuluar motivet apo autorët e këtyre ngjarjeve.
20 Prill 2009