E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punimet në Rrugën e Arbrit lënë 100 mijë frymë pa drita

Punimet për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, në segmentin Krajkë- Ura e Çerenecit kanë shkaktuar ndërprerjen totale të energjisë elektrike për rrethet Dibër dhe Bulqizë. Shkak i kësaj ndërprerjeje është bërë zhvendosja e dy shtyllave të tensionit të lartë 110 kilovolt, që ndodhen në aksin ku kalon rruga në fshatin Sofroçan të Komunës Zerqan. Kështu që nga ora 06:00 e së mërkurës është ndërprerë energjia për 100 mijë banorë të këtyre dy rretheve. Ndërkohë, për qytetet Bulqizë dhe Peshkopi është mundësuar furnizimi me energji pas orës 18:00 të ditës së mërkurë, duke u ndërprerë përsëri gjatë orëve të para të ditës së djeshme. Ndërkohë, zonat rurale vazhdojnë të jenë pa drita edhe gjatë ditës së sotme. Burime nga agjencitë elektrike të këtyre rretheve saktësojnë se ndërprerjet do të vazhdojnë deri në zhvendosjen e dy shtyllave të linjës elektrike të tensionit të lartë. Zvarritja e punimeve për ndërtimin e të ashtuquajturës Rruga e Arbrit në segmentin Bulqizë-Ura e Çerenecit, 17 kilometra i gjatë, që sipas kontratës së nënshkruar ndërmjet firmave tenderuese dhe shtetit duhej të përfundonte më 4 dhjetor të vitit të kaluar, ende nuk ka përfunduar të paktën në dy lote të saj nga tre gjithsej, edhe pse është bërë inaugurimi i përfundimit të saj gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 28 qershorit. Një situatë e tillë vazhdon të sjellë probleme për dibranët jo vetëm në qarkullim, por edhe në furnizimin e tyre me energji elektrike. Banorë të fshatrave Sofroçan dhe Zall-Strikçan, në afërsi të aksit rrugor ku do të zhvendosen dy shtyllat e tensionit të lartë, konfirmojnë për "Shqip", se jo vetëm gjatë këtyre ditëve, kur po punohet për lëvizjen e këtyre shtyllave, por prej muajsh kanë pasur probleme me dritat, për shkak të dëmtimit të shtyllave të betonit në linjën 6 kilovolt. Gjithsesi, kjo shkelje flagrante e kryerjes së këtyre punimeve nuk është shoqëruar me asnjë lloj ndëshkimi ndaj firmave që punojnë në aks.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›