Marinari shpëton nga mbytja fëmijën 5 vjeç
Një tjetër fëmijë është rrezikuar të mbytet në një nga plazhet e Sarandës. Jeta e tij është shpëtuar mrekullisht, por gjendja e rënduar shëndetësore ka kërkuar që ai të transportohet drejt kryeqytetit. Nikollaq N., fëmija 5-vjeçar nga qyteti i Sarandës, mesditën e djeshme ishte duke u larë në det në kujdesin dhe shoqërinë e disa të afërmve të tij. Ata kishin zgjedhur për t‘u larë në vendin e quajtur Gjiri i Marinës. Ishte ora rreth 15:00 kur fëmija gjendej në det. Për momentin ai u humbi nga sytë të afërmve, gjë që i shqetësoi ata. Një marinar që u ndodh aty pranë u hodh në ujë dhe bëri të mundur gjetjen e trupit të vogëlushit. Ai u gjet pothuajse i mbytur. Pas nxjerrjes nga uji, fëmija është çuar menjëherë në urgjencën "Stefan Mekshi" të Sarandës. Sipas burimeve spitalore, 5-vjeçari Nikollaq N. ka shkuar në spital në gjendje shumë të rëndë. Pas ndihmës së parë të dhënë në urgjencë, ai u transportua me helikopter për në Tiranë për mjekim më të specializuar. Ngjarja e mesditës së të mërkurës vjen pas asaj të ndodhur rreth një javë më parë, kur një fëmijë 3-vjeçar shpëtoi mrekullisht nga mbytja në det.