Sërish zjarr në Vidhan të Gramshit
Zjarri i tri ditëve më parë nuk është shuar ende në një fshat të Gramshit. Sërish gjatë orëve të fundit të natës së djeshme, në masivin me pisha të malit të fshatit Vidhan të Komunës Skëndërbegasi, në rrethin e Gramshit, është shfaqur zjarri. Përmasat e zjarrit, sipas banorëve të zonës, janë mjaft të mëdha dhe shuarja është e pamundur për shkak të terrenit mjaft të vështirë. Gjatë fundjavës së kaluar, nga një zjarr gjigant u dëmtuan rreth 20 hektarë me pisha në malin që ngrihet mbi fshatin Vidhan të Gramshit. Por, ndërsa po hetohej për zbulimin e shkaqeve të kësaj vatre zjarri, nuk vonoi ndezja e një tjetër zjarri edhe më të madh. Dëmet e zjarrit më të fundit nuk janë ende të qarta, por mendohet se ai ka dëmtuar disa hektarë me pisha. Për momentin, për shuarjen e flakëve janë mobilizuar shërbimet e policisë pyjore dhe ato të ushtrisë, në ndihmë të të cilave janë vënë edhe Policia e Shtetit dhe shërbimi i zjarrfikësve. Ndërkohë, të parët që kanë kontribuar në izolimin e kësaj vatre zjarri ishin banorët e fshatrave të Komunës Skëndërbegas. Me punën e tyre u bë e mundur edhe evitimi i rritjes së përmasave të këtij zjarri dhe shuarja e tij në pjesën më të madhe të zonës pyjore që ishte përfshirë nga flakët që nga pasditja e së mërkurës.