"Duam para nga bashkia për plehrat"
• PERMET - Prej afro 5 muajsh banorët e komunës së Piskovës në rrethin e Përmetit kanë prishur rrugën që të çon në pikën e grumbullimittë mbeturinave të qytetit, duke shkaktuar bllokimin e transportimit e depozitimit të këtyre mbetjeve urbane. Në hyrje të rrugës që të çon te pika e grumbullimit është hapur një kanal i madh dhe rreth 20 persona nuk kanë lejuar hyrjen e automjeteve. Drejtori i Ndërmarrjes së Pastrim-Gjelbërimit në Përmet, Petraq Vangjeli, shprehet i shqetësuar për këtë bllokim që i ka detyruar mjetet e kësaj ndërmarrjeje që të shpërndajnë mbeturinat e qytetit në mjedise të tjera të papërshtatshme dhe me pasoja për ndotjen e mjedisit dhe sidomos të ujërave të lumit të Vjosës. Bllokimi i rrugës që të çon në pikën e grumbullimit dhe asgjësimit të mbetjeve urbane nga banorët e fshatrave Kosinë dhe Kutal ka krijuar probleme të mëdha për pastrimin e qytetit. Në këto rrethana punëtorët dhe mjetet e kësaj ndërmarrjeje i kanë shpërndarë mbetjet urbane në vende krejt të papërshtatshme prej afro 3 muajsh. Drejtuesit e bashkisë e konsiderojnë dëmtimin e rrugës një veprim primitiv. Sipas kryetarit të komunës Piskovë, Thoma Muriqi, kryetari i bashkisë së Përmetit Edmond Komino nuk ka kontaktuar në asnjë moment me fshatarët dhe me vetë kryetarin e komunës. Mbështetur në ligje komuna kërkon nga bashkia që të paguajë për përdorimin e një sipërfaqeje prej 4 mijë metra katrorë që është në pronësi të komunës sonë. "Me tarifat e vendimit të qeverisë shuma që duhet të na paguajnë është 4,8 milionë lekë, por ne kërkojmë vetëm 1.2 milionë lekë", është shprehur kryekomunari i Piskovës, por nga Bashkia e Përmetit sipas tij, nuk kanë marrë asnjë përgjigje. p.n