E Diel, 1 Nëntor 2026

Punimet në sheshin “Skënderbej”, bashkia po shkel edhe vendimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve

Ministria e Kulturës kërkon pezullimin e punimeve

Hidhen argumente të tjera lidhur me legjitimitetin e punimeve të bashkisë së Tiranës në sheshin “Skënderbej”. Ministria e Kulturës ka deklaruar sot se punimet që po zhvillohen në sheshin qendror, janë në kundërshtim të hapur me ligjin.

Drejtori i Drejtorisë së Trashëgimisë Kulturore në MTKRS Olsi Lafe dhe Drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Valter Shtylla, kanë deklaruar përpara mediave, se punimet në sheshin “Skënderbej” vazhdojnë duke shkelur ligjin. Në keto deklarime është bërë publike “dokumenti kronologjik” nga të dy institucionet.

Sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës, sheshi “Skënderbej” është shpallur Ansambël Kulturor dhe ndërhyrjet në të kërkojnë aprovimin e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.

Bashkia e kryeqytetit prej disa ditësh ka nisur zbatimin e projektit belg për rehabilitimin e këtij sheshi, duke shmangur jo vetëm marrjen e lejes mjedisore, por edhe lejen e Ministrisë së Kulturës.

Në deklarimet e tij, Drejtori i Trashëgimisë Kulturore, tha se nisja e punimeve nuk është bërë konform vendimeve të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve.

Sipas drejtorit të Trashëgimisë Kulturore në këtë ministri, Olsi Lafe, “ekziston një shkëmbim dokumentacioni mes Bashkisë së Tiranës, MTKRS-së dhe Institutit Kombëtar të Monumenteve mbi projektin për rikonstruksionin e sheshit ‘Skënderbej’, por procedura e ndjekur nga bashkia e Tiranës për sheshin ‘Skënderbej’ është në kundërshtim të hapur me ligjin. Kur Rama ka qenë ministër i Kulturës në vitin 2000, ka propozuar një VKM, që e shpall aksin kryesor të kryeqytetit, që fillon nga Sheshi ‘Nënë Tereza’ dhe përfundon të Stacioni i Trenit, Ansambël monument kulture”, tha Lafe.

Duke iu referuar korrespondencës midis bashkisë dhe Institutit të Monumenteve të Kulturës, Lafe tha se, “Bashkia e Tiranës në prill të 2008-ës i ka kërkuar Institutit të Monumenteve të Kulturës që të miratojë projekt-idenë e tij për rehabilitimin e Sheshit ‘Skënderbej’ dhe kjo kërkesë ka ardhur në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, i mbledhur pranë MTKRS , i cili vendosi kufizime dhe ndryshime për ndërhyrjet që duhen bërë në këtë shesh. Këshilli vendosi që pjerrësia e sheshit të propozuar të mos kalojë 1 për qind si dhe të mos lejohet ndërtimi i dy ndërtesave në aksin e Bulevardit ‘Zogu i Parë’ dhe midis Muzeut Historik Kombëtar dhe Bankës së Shqipërisë”, u shpreh Lafe.

Ndërsa Instituti i Monumenteve të Kulturës i kthen përgjigje bashkisë së Tiranës, duke i dërguar kushtet e projekt idesë, kjo e fundit nuk ka kthyer më përgjigje, duke zbatuar kështu projektin i cili është i paligjshëm.

Në këtë drejtim, Lafe sqaroi se, “bazuar në ligjin në fuqi ‘Për trashëgiminë kulturore’, çdo vendim që merret nga pushteti lokal, Këshillat e Rregullimit të Territorit për zonat që janë monumente kulture, në qoftë se nuk miratohen në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve, janë të pavlefshëm”.

Ndërkohë, dje në lidhje me këtë çështje u shpreh edhe drejtori i Institutit të Monumenteve të Kulturës, Valter Shtylla, i cili tha se, “Sheshi ‘Skëndërbej’ është shpallur monument kulture që në vitin 2000 dhe për rrjedhojë duhet leje nga Instituti Kombëtar i Monumenteve për të ndërtuar në këtë shesh”.

Shtylla pohoi se vendimet e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve, sanksionuan disa detyrime të cilat nuk u zbatuan nga pushteti vendor.

“Pas 8 majit 2009 kur ne i ridërgua me praktikën e Këshillit Kombëtar të Restaurimeve bashkisë së Tiranes, dhe i kërkuam që për firmosjen teknike përfundimtare nga ana e KKR të merrte parasysh vërejtjet që ishin bërë, bashkia e Tiranës nuk është përgjigjur më, në mënyre që të merrnin firmën përfundimtare nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve dhe që projekti të ishte tashme i miratuar nga organizmat e Trashëgimisë Kulturore”, u shpreh Valter Shtylla, drejtor i Institutit të Monumenteve të Kulturës.

Punimet në sheshin “Skëndërbej” vijojnë, edhe pse disa ditë më parë, Ministria e Mjedisit mori vendimin për pezullimin e punimeve si dhe gjobitjen e bashkisë me 2 milionë lekë, me argumentin se nuk ka leje mjedisore.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›