E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punk’s not dead”, filmi më i mirë i TIFF

TIRANË- Tirana International Film Festival, pas projeksionet të filmave në Kinema “Imperial”, në natën e fundit të tij, ka ndarë çmimet për më të mirët.
Filmi më i mirë i TIFF për “Best Feature of TIFF” u zgjodh filmin dokumentar “Punk's not dead” me regji nga maqedonasi, Vladimir Blazevski. Regjisorja më e mirë u shpall Beryl Koltz me filmin “Hot Hot Hot”, aktori më i mirë u shpall Rob Stanley në filmin “Hot Hot Hot”, ndërsa aktorja më e mirë u shpall Monica Birledeanu me filmin “Maternity Blues”.

Filmi më i mirë i shkurtër u zgjodh filmi iraken “The sound of rain” me regji nga Jalal Saedpanah, animacioni më i mirë i huaj u shpall filmi “ Tale of the wind” me regji nga Claudio Jordao nga Portugalia, ndërsa filmi më i mirë eksperimental u shpall filmi “Paper memories” me regji nga spanjolli Theo Putzu.
Juria për filmin shqiptar me anëtarë: Zamir Kokonozi, Iris Elezi dhe Andi Deliana, shpalli si filmin më të mirë të shkurtër shqiptar “Home” me regji nga Kast Hasa. Ndërkohë që filmi më i mirë i festivalit, “Punk's not dead” mori edhe çmimin e medias.
Në gjykimin e filmave me metrazh të gjatë këtë vit ishin Dhimitër Anagnosti, Elvira Diamanti, Massimiliano Nardulli dhe kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, i cili ishte dhe anëtar nderi.

TIFF filloi garën e filmave në pesë dhjetor dhe për pesë ditë u shfaqën rreth 100 filma, nga 60 shtete, në kategoritë: animacion, dokumentarë, eksperimental, filma me metrazh të shkurtër dhe të gjatë. Këtë vit kanë konkuruar 500 filma me tema të reja, trende të reja, stile të reja ndërkohë që një vend i rëndësishëm i është lënë këtë vit filmit me metrazh të gjatë. Shqipëria konkuroi me kinemanë botërore, kësaj here me 17 filma, 4 prej të cilëve ishin nga Kosova.

Tirana International Film Festival është themeluar në vitin 2003 dhe që prej atëherë çdo vit sjell për publikun dhe kineastët shqiptar trende të ndryshme të kinemasë botërore si dhe prezanton kinemanë shqiptare për kineastët e huaj.

(d.b/ATSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›