E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punojmë ditë e natë

Puna vazhdon gjatë gjithë ditës dhe në orët e vona të darkës për të kthyer normalitetin e kaosit të trafikut në kryeqytet.

Projekti i ish-kryebashkiakut Rama është ndryshuar, pasi aty nuk parashihej që të qarkullonin automjete, por në projektin e ndryshuar, makinat do të “derdhen” nga zemra e kryeqytetit për të vijuar rrugëtimin në çdo anë. Sipas Bashkisë së Tiranës, përfundimi i punimeve do ta bëjë qendrën e kryeqytetit të kalueshëm nga kalimtarët dhe mjetet, brenda 15 nëntorit. Sheshi  me një sipërfaqe prej ofro 40 mijë m²,  po merr formën e një qendre funksionale për qytetarët.

Me urdhër të kryebashkiakut Lulzim Basha, në Bashkinë e Tiranës prej disa javësh një grup ekspertësh po studiojnë ndryshimet në projektin fillestar të sheshit për të lehtësuar trafikun.   Pas kësaj faze, sipas Bashkisë së Tiranës, pritet të ndërhyhet për estetikën e sheshit, punime që do të kryhen brenda 30 nëntorit.

Kjo fazë e ndërhyrjes parashikon gjelbërimin e sheshit “Skënderbej”, në mes Bankës Shqipërisë dhe pas ndërtesës së Pallatit të Kulturës dhe modifikimin estetik para Pallatit të Operas dhe Baletit. Ndërkaq, pjesa para dhe pas monumentit të heroit kombëtar "Skënderbeu" do të jetë me një kuotë pasqyrë, e gjelbëruar me ngritje minimale prej 1.5 metrash.

Burime nga bashkia bëjnë të ditur se me përfundimin e këtyre punimeve, do të krijohet një aks i qarkullimit të makinave përreth sheshit "Skënderbej", si zgjidhje emergjente për situatën e rënduar të trafikut në Tiranë. Ndërkohë, rishikimi i planit urbanistik do t’i japë zgjidhjen përfundimtare planifikimit afatgjatë të sistemimit të sheshit. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-30 12:24
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›