Tirana-Vllaznia, finalja e 10-të midis tyre
Dueli për titull Tirana-Vllaznia është më i vjetri në historinë e futbollit shqiptar, pasi nis qysh me kampionatin e parë të futbollit (1930) e deri te ky i fundit i sezonit 2008-2009, i 70-ti, i cili përkon me rastin e dhjetë kur dy skuadrat do të diskutojnë e ndajnë vendet 1-2, pra kampionen e nënkampionen e Shqipërisë midis tyre. Tirana është klubi me më shumë tituj në Shqipëri: 43 trofe në total, 23 kampionate (rekord), 13 Kupa të Shqipërisë (Partizani mban rekordin me 15-të), 7 Superkupa (rekord). Vllaznia nga ana e saj ka 15 trofe në arkivin e saj: 9 kampionate dhe 6 Kupa të Shqipërisë. Dueli i fundit për titull midis Tiranës e Vllaznisë përkon me sezonin 2002-2003, ku bardheblutë i mposhtën në të dy takimet shkodranët: 2-0 në fazën e parë në Tiranë (golat nga holandezi Venhof me 11-metërsh e Halili) dhe 4-2 në “Loro Boriçi”, përpara një numri rekord shikuesish: mbi 18 mijë veta në stadium. Dy nga gjashtë golat në atë takim mbajnë pikërisht firmat e Bledar Devollit (atëherë me Vllazninë, sot me Tiranën) e Devi Mukës. Tirana fitoi kampionatin (atëherë me 14 skuadra e 26 javë kampionat) me 60 pikë, 11 më shumë se Vllaznia e vendit të dytë, 49. Në formacionin aktual të Vllaznisë, nga ai që ka fituar titullin e fundit në sezonin 2000-2001, kanë mbetur vetëm pesë lojtarë: Safet Osja, Elvin Beqiri, Vioresin Sinani, Suat Lici, Albert Kaçi, si dhe trajneri malazias Dervish Hadziosmanoviç, ndërkohë që Saimir Patushi, tashmë është pjesë e Tiranës, rivales së madhe të shkodranëve, që janë në kërkim të trofeut të 10-të, pikërisht me trajner Haxhiosmanoviçin. Edhe kur fitoi titullin e fundit kampion (atë të sezonit 2000-2001), Vllaznia kishte të bënte as më pak e as më shumë me Tiranën, një duel i zgjidhur javën e fundit të kampionatit, madje me një ndeshje shumë festive, boll të shohësh shifrat e 90 minutave: Vllaznia-Shkumbini 6-4, duke bërë të pavlefshme fitoren 2-0 të Tiranës me Luftëtarin. Vllaznia fitoi kampionatin (atëherë me 14 skuadra e 26 javë kampionat) me 56 pikë, 2 më shumë se Tirana e vendit të dytë, 54. Gjatë 69 edicioneve të përfunduara (nga sezoni aktual ka mbetur edhe vetëm 1 javë, titulli është një çështje e mbyllur midis Tiranës e Vllaznisë), dy skuadrat më të vjetra në Shqipëri e kanë diskutuar 9-herë titullin midis tyre: pesë herë ka dalë e para Tirana e katër herë Vllaznia. “Finalja” e 23 majit është e dhjeta midis tyre për titull, e nëse fiton Vllaznia, atëherë do të kemi të paktën një ekuilibër midis tyre në statistikën “kokë më kokë”, 5-5, ndërkohë që Vllaznia pas tetë sezonesh mungesë do të fitojë titullin e 10-të. E nëse fiton Tirana titullin, atëherë bardheblutë do të koleksonojnë titullin e 24-të, 7 më shumë se Dinamo (17), 9 më shumë se Partizani (15) e 15 më shumë se Vllaznia (9).
STATISTIKAT
Sezoni 2002-2003 Pikë
Tirana kampion 60
Vllaznia e dyta 49
Sezoni 2000-2001
Vllaznia kampion 56
Tirana e dyta 54
Sezoni 1996-1997
Vllaznia kampion 72
Tirana e dyta 65
Sezoni 1996-1997
Tirana kampion 46
Vllaznia e dyta 43
Sezoni 1971-1972
Vllaznia kampion 40
Tirana e dyta 37
Sezoni 1945*
Vllaznia kampion
Tirana e dyta
* Pas dy takimeve finale si kryesues të grupeve përkatëse
Sezoni 1937
Tirana kampion 35
Vllaznia e dyta 29
Sezoni 1936
Tirana kampion 25
Vllaznia e dyta 23
Sezoni 1932
Tirana kampion 13
Vllaznia e dyta 11
20 Maj 2009