Punonjësit e Bankës së Shqipërisë, kredi pothuajse falas
Guvernatori i Shqipërisë, Ardian Fullani, përveç të ardhurave të tij super të larta dhe shpenzimeve marramendëse, ka krijuar favore edhe për punonjësit e vet. Sipas Shqip, si askush tjetër në këtë vend, kush punon në Bankën e Shqipërisë ka të drejtën të aplikojë të marrë kredi nga vetë banka me interes 0.5 për qind. Pra, pothuajse zero. Ky nivel konsiderohet më i ulëti, madje të pastrehët kur marrin kredi nga shteti, paguajnë interes 3 për qind (kategori e caktuar). Punonjësit e Bankës ndërkohë, e kanë të ndaluar që të marrin kredi në banka private.
Në qeverisjen e guvernatorit Ardian Fullani, Banka e Shqipërisë ka dyfishuar stafin, numri i të cilit ka arritur në rreth 505. Fondet për shpenzime personeli janë rritur çdo vit, sikurse edhe për pagat, duke kapërcyer 1 miliard lekëshin.
Kështu në vitin 2009, shpenzime për personelin ishin 950 milionë lekë, kurse në vitin 2012, sipas të dhënave zyrtare nga buxheti i miratuar i vetë bankës, ka arritur në 1.3 miliardë lekë, pra 400 milionë më shumë, ose 30 për qind më tepër.
Fullani është Guvernatori që paguhet më shumë në botë, pas atij britanik, ndërkohë që shpenzimet e tij nuk kanë fund. Vetëm për një dhomë muze, ai ka akorduar një shumë prej 1.8 milionë euro një muaj më parë.